Gulen: I Pranojmë Izraelitët si Njerëz

BBC transmetoi intervistën e parë të Fethullah Gulenit në  16 vjetët e fundit ku ai u përgjigj lidhur me  pretendimet se a ka urdhëruar ndjekësit e tij që mbanin pozita të larta zyrtare në polici dhe gjyqësi për të filluar hetimet.

Gulen një imam dhe predikues i kursit të moderuar islam, themelues i Lëvizjes politike, fetare e arsimore që shumëkush e quan me emrin “Hyzmet”, ka ndikim të madh në Turqi dhe pjesët tjera të globit.

“Hyzmet” që do të thotë “shërbim”, promovon një formë tolerante islamike, ku përfshihen edukimi, altruizmi dhe punën e vyer për të tërhequr miliona ndjekës duke zgjeruar ndikimin e vet përtej Turqisë.

Kryeministri turk ka akuzuar Gulen-in, një ish-aleat i cili ka fituar azil në SHBA , se mundohet të sulmojë qeverinë. Katër ministra kanë dhënë dorëheqje pas fillimit të hetimeve për korrupsion.

Gulen emigroi në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1999 për shkaqe shëndetësore dhe për faktin se në Turqi kërkohej nën akuzat e përpjekjeve për krijimin e shtetit islamik, edhe pse nuk konsiderohet nga radikalët e kësaj feje, ndërsa predikon edhe pajtimin fetar mes feve monoteiste.

Erdogani ka kritikuar hetimet si një “komplot i pistë” nga ndjekësit e Gulenit për t’i dhënë fund atij.

Por Gulen i tha BBC-së se reagimet e partisë qeveritare që kanë përfshirë largimin e një numri të konsiderueshëm të drejtuesve të policisë si dhe arrestimin e disa aleatëve të Erdoganit, janë antidemokratike.

Gulen: disa nga të shkarkuarit nuk janë me ne

Për përfshirjen e pretenduar të  Hyzmetit në hetimin e veprimeve korruptuese të qeverisë, ai tha se disa prej anëtarëve të rikthyer, shkarkuar ose të riemëruar të policisë dhe gjyqësisë “nuk janë të lidhur me ne”.

“Këta hapa janë ndërmarrë për ta zmadhuar lëvizjen tonë dhe për t’i frikësuar njerëzit me një kërcënim joekzistent”, tha Gulen.

Por, sipas Tim Frank-ut korrespondent i BBC-së që intervistoi Gulenin në shtëpinë e tij në Pensilvani, shumë njerëz- akademikë, gazetarë dhe diplomatë kanë sugjeruar se është jobindës fakti se  Gulen nuk ka dhënë urdhrin për t’i kapur rrjeta aleatët e Erdoganit, sidomos pasi ky i fundit kishte tentuar të mbyllë shkollat e “Hyzmetit” në Turqi.

“Nuk është e mundur që këta gjyqtarë dhe prokurorë të pranojnë urdhra prej meje. Unë nuk kam lidhje me ta. Unë nuk njoh as 0.1 për qind të tyre”, i tha Guleni BBC-së.

“Njerëzit e gjyqësisë dhe policisë  bëjnë hetime ashtu si dhe diktojnë obligimet e tyre normale të punës”, shtoi Gulen.

“Siç duket ata nuk ishin të informuar për faktin se korrupsioni dhe ryshfeti kanë pushuar së ekzistuari si akte kriminale në Turqi”, shtoi  më tej Gulen, një deklaratë që korrespondenti i BBC-së e ka përshkruar paksa si sarkastike.

Tim Franks nga BBC-ja thotë se një kohë kanë ekzistuar ambicie të përafërta mes qasjes së butë islamike të këtij kleriku dhe Islamizmit të butë të partisë së Erdoganit.

Megjithatë tani duket se ekzistojnë shenja të dyanshme të dallimeve. Erdogan ka nisur bisedime paqësore me separatistët kurdë të udhëhequra prej liderit të burgosur Abdullah Oçalan, ndërsa Guleni në territoret me kurdë në Turqi kishte hapur rrjetin e shkollave të tij.

Oçalani, sipas Gulenit ishte “i shqetësuar lidhur me atë se ç’u bënim ne kurdëve”( kur Guleni hapi shkollat atje).

 Sipas tij “Ata [liderët kurdë] nuk dëshironin që aktivitetet tona ta parandalonin rininë që t’u bashkohej militantëve nëpër male. Politika e tyre është që të mbahet ndjenja e armiqësisë midis kurdëve dhe turqve.”

Themelimi i shkollave dhe investimi në regjion “ishin vështruar si hapa kundër procesit të paqes”, thotë Gulen.

Kur u pyet lidhur me tensionin e rritur mes Turqisë dhe Izraelit në vitet e fundit, Gulen tha: “Ata [qeveritarët] përpiqen të na portretizojnë ne si një lëvizje pro-izraelite, në kuptimin sikur ne kemi konsideratë më të madhe për ta, sesa për kombin tonë”.

“Ne i pranojmë ata si njerëz, si pjesë e njerëzve në botë”, shtoi Gulen.

Shkrimi është bazuar në raportimet nga BBC-ja