Kurti vazhdon takimet në Gjermani, temë kryesore anëtarësimi në Këshillin e Evropës

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar edhe sot, në ditën e tij të dytë të qëndrimit në kryeqytetin e Gjermanisë, takimet me politikanë gjerman.

Ai sot bashkëbisedoi me dhjetëra deputetë të Partisë Socialdemokrate (SPD), të Bashkimit Demokristian (CDU), të Partisë së Gjelbër (Grune) dhe të Partisë së Lirë Demokratike (FDP).

Zyra e Kryeministrit njoftoi se tema kryesore e bashkëbisedimeve ishte aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe rruga drejt anëtarësimit të plotë në këtë organizatë.

Siç është thënë në këtë njoftim Kurti sot ka qenë i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Takimet Kurti u tha se i filloi me Dr. Rolf Mützenich, deputetin dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të SPD-së, të cilin e falënderoi për ftesën që të marrë pjesë në ngjarjen e organizuar mbrëmë nga SPD në shënim të 75-vjetorit të KE-së.

Ndërkaq në një drekë pune Kurti u tha se takoi deputetët Michael Roth (SPD), Andreas Schwarz (SPD), Knut Abraham, (CDU), Michael Brand (CDU), Jürgen Hardt (CDU), Volkmar Klein (CDU), Volker Ulrich (CDU), Philip Krämer (Grüne), Max Lucks (Grüne), Boris Mijatovic (Grüne), Ulrich Lechte (FDP) dhe Thomas Hacker (FDP).

Sipas këtij njoftimi, krahas mirënjohës për mbështetjen e deritanishme ndaj vendit tonë, kryeministri Kurti u bëri thirrje deputetëve gjermanë dhe qeverisë gjermane që të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën edhe në hapin e fundit, mbi bazën e opinionit të raportueses Dora Bakoyannis, votës historike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill dhe regjistrit të kornizës ligjore, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë.

Albin Kurti sot gjatë fjalimit të tij në Bundestagun gjerman tha se Kosova synon që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Përendimor, pas Malit të Zi, që do t’ia ofrojë qytetarëve të saj të drejtën e bashkimit civil të së njëjtës gjini.

Kurti shtoi se po punohet që në një të ardhme shumë të afërt ta kalojnë Kodin Civil në të cilin përfshihet dispozita për bashkimin civil të të njëjtit seks.

“Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”- tha Kurti, duke shtuar se Kosova e meriton të jetë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Më 16.04.2024 Kosova kaloi hapin e dytë drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës, pasi që u votua për në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës. 131 ishin pro dhe 29 kundër.

Më 16 mars të vitit 2022, Projekt Kodi Civil nuk e mori mbështetjen në parim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Mospajtime dhe debate të ashpra përcollën leximin e parë, përderisa të gjitha kritikat lidheshin me nenin 1138 që përcaktonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë. Seancat e rregullta të Kuvendit zakonisht zhvillohen të enjteve, mirëpo në asnjë të enjte të vitit 2023, Projekt Kodi nuk u dërgua para ligjvënësve apo edhe në Qeveri.

Kurti në Gjermani: Personalisht do të ndërtoj shumicë parlamentare për të bërë të mundur bashkimin civil të të njëjtës gjini