Vajza e Sali Dukatit Ndërron Fjalët

Të mërkurën, të enjten dhe të premten janë mbajtur tri seanca gjyqësore për rastin e vrasjes se te riut nga Peja Fidan Shabit në majin e vitit 2012. Nga Prokuroria Themelore ne Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, të akuzuar janë Besarta Kastrati – Harxhi dhe i mituri Arian Lluka.

Paneli gjyqësor i përbërë nga Sylë Lokaj-kryetar dhe Nushe Kuka – Meka e Violeta Rugova anëtare, vendosën që vetëm seanca e së mërkurës të jetë e hapur, ndërsa të enjten dhe të premten ato të jenë të mbyllura, pasi në to Arian Lluka paraqiti mbrojtjen e tij, ndërsa në kohën për të cilën akuzohet ishte i mitur.

Besarta Kastrati-Harxhi paraqiti mbrojtjen e saj të mërkurën.

Sipas aktakuzës ajo e ka thirrur natën kritike  më 2 maj 2012 viktimën Fidan Shabin në telefon, ka marrë me qira një xhip dhe ka shkuar para banesës se saj në ndërtesën te stacioni i trenit, ku është takuar me Fidan Shabin, të cilin e ka joshur brenda në tavan të banesës, kinse për të bërë marrëdhënie seksuale.

Aktakuza vazhdon se ajo më pas e ka qëlluar disa herë me revole Shabin dhe pas kësaj vepre te krimit e ka thirrur të akuzuarin tjetër Arian Llukën, më të cilin e kanë mbështjellë viktimën me qese të plastikës dhe e kanë lënë në tavanin e banesës.

Besarta më pas është kthyer në shtëpi të babait të saj Sali Kastratit, thuhet më tutje në aktakuzë.

Besarta Fajin e bart te Lluka

E akuzuara për vrasje të rëndë të Fidan Shabit, dha një version tjetër të ngjarjes së rëndë, duke përjashtuar veten nga fajësia për krimin.

“E di që kam dhënë deklarata në polici dhe prokurori, mirëpo unë qëndroj vetëm pranë deklaratës së fundit dhënë tash këtu në gjykatë”, tha Besarta Kastrati-Harxhi, kur nga prokurorja e EULEX-it Joelle Bualk u ballafaqua me deklaratat e mëhershme të saj.

Kastrati-Harxhi, tha të jetë kthyer në Kosovë nga Amerika në muajin mars të vitit 2012, kur babi i saj Sali Kastrati ishte plagosur dhe më pas kishte vdekur. Kastrati qe plagosur më 15 mars, për të vdekur një muaj më vonë nga plagët e marra, ndërsa Fidan Shabi u vra më 2 maj, për t’u gjetur dhjetë ditë më pas.

Ajo të mërkurën fajin për vrasjen e Shabit ia la të akuzuarit tjetër Arian Llukës, për të cilin tha se pasi kishte probleme familjare, jetonte në shtëpinë e Kastratëve.

Besarta Kastrati-Harxhi në versionin e saj të përshkrimit të natës kritike, tha se më 1 maj 2012 rreth orës 24:00 është zgjuar nga Arian Lluka që sipas saj i ka kërkuar ta dërgojë diku, duke i thënë se do t’i tregojë rrugës se ku do të shkojnë.

Gjithnjë sipas Kastrati-Harxhit, ajo e ka dërguar të akuzuarin tjetër Llukën deri te shtëpia e tij, për ta pritur kthimin e Arianit për rreth gjysmë ore. Besarta tha në gjykatë se Lluka i ka thënë “kesh e kreva një punë”, kur ajo e ka pyetur ku ishe.

Më pas Besarta tha se derisa ishte me Arianin në Prishtinë më 4 maj 2012, një person e ka thirrur në telefon Llukën, duke kërkuar ndihmën e tij për ta gjetur Fidan Shabin.

Sipas Besartës telefonuesi ishte një shok i Shabit.

“Arjani me buzë ne gaz me tha se këtë djalin që po e lypin unë e kam vrarë”, tha Kastrati-Harxhi në gjykatë, për të shtuar se i bashkakuzuari i ka thënë se trupin e të vrarit e ka lënë në banesën e Harxhëve te stacioni i trenit në Pejë.

Aktakuza thotë se Shabi është gjetur i vrarë në tavanin e kësaj banese, ndërsa Besarta Kastrati-Harxhi kishte pranuar në hetuesi dhe polici kryerjen e këtij krimi, të cilin pas ngritjes së aktakuzës e mohoi.

Ajo, më tutje tha se atë që e ka deklaruar në polici, e ka bërë nën presionin e Arian Llukës, i cili sipas saj ia ka shkruar në një letër çfarë të thotë, ngase nëse nuk e bën këtë do t’ia vriste familjen.

Në shtatorin e vitit të kaluar Krenar Shala njëri nga dëshmitarët e këtij rasti kishte thënë se Arian Lluka kishte gjuajtur granatën afër shtëpisë së biznesmenit Sali Kastrati, në janarin e 2012-ës. Shpërthimi atëherë kishte dëmtuar një makinë.

“Në ketë letër Ariani ka kërkuar që unë të them që e kam emrin Ana apo Hana s’po më kujtohet dhe çka te them ne polici, dhe për ketë po them se ajo çka kam thënë ne polici s’është e vërtetë”, shtoi Kastrati-Harxhi.

Ajo kishte deklaruar në polici se Fidan Shabin  e kishte vrarë, ngase ai e kishte dhunuar, një deklaratë të cilën e mohoi, duke ia veshur presionin për thënien e këtyre fjalëve, përsëri Arian Llukës.

Prokurorja e EULEX-it u interesua se pse telefonat drejt Shabit janë bërë nga telefoni i saj, ndërsa Kastrati-Harxhi, tha se Arian Lluka kishte përdorur në atë kohë telefonin e saj.

Ferid Gjikolli, mbrojtësi i Arian Llukës kërkoi të dijë arsyen e deklaratave kontroverse të të akuzuarës për vrasje të rëndë.

Kastrati-Harxhi tha se të njëjtat fjalë do t’i thoshte edhe në prokurori, por nuk e kanë lejuar ta tregojë versionin  e saj të ngjarjes.

Ajo e mohoi të ketë deklaruar gjatë hetimeve se e ka thyer dhe e ka bërë copë-copë telefonin e Fidan Shabit, pas vrasjes së tij, derisa me makinë largohej nga Peja drejt Prishtinës me Arian Llukën.

Seanca e radhës pritet të mbahet javën e ardhshme.