Pika Kontrolli për të Ndaluar Vjedhjen e Pyjeve (TV)

Drejtoria e Bujqësisë e Komunës së Ferizajt ka krijuar tri pika kontrolluese për mbrojtjen e pyjeve, ku ka vendosur tre kontejnerë.

Këto pika janë vendosur në fshatrat Nerodime,  Pleshinë dhe Burrnik.

Xhemajl Reqica, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Ferizaj tha se kjo drejtori mendon se këto tri pika janë janë pika kyçe të qarkullimit të prerësve të pyjeve.

Sipas tij në këto pika do të jenë prezent rojat e pyjeve.

Sipas drejtorit Reqica, në përgjithësi vërehet një vetëdijesim i qytetarëve për ruajtjen e pyjeve dhe sipas tij viti 2013 ka qenë më i mirë se viti 2012 për sa i përket dëmtimit të pyjeve.

Kenan Gashi nga Iniciativa Rinore Përparimtare, organizatë joqeveritare  e cila merret me ruajtjen e ambientit, përshëndeti një veprim të tillë të Komunës dhe shprehu bindjen se këto pika do të ndihmojnë në parandalimin e dëmtimit të pyjeve.

Edhe Gashi foli për një dëmtim më të vogël të pyjeve në vitin 2013, sesa në vitin paraprak.

Edhe në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës-dega në Ferizaj, thonë se në vitin 2013 pyjet në këtë komunë kanë qenë më pak të dëmtuar sesa në vitin 2012.

Sipas kësaj agjencie vlera e dëmit në vitin 2013 ka qenë 263.000 euro, ndërsa në vitin 2012 ka qenë 963.000 euro.