Kosova dhe Maqedonia-Gati për Lidhje me Autostradë

Maqedonia pritet të shpallë një tender për ndërtimin e autostradës së re të planifikuar nga Shkupi deri në kufi me Kosovën.

Tenderi do të publikohet së shpejti, pas zgjedhjeve presidenciale të marsit, thonë në Ministrinë e Transportit të Maqedonisë.

Autostrada e planifikuar në një gjatësi prej 13 kilometrash do të ketë një çmim të llogaritur prej 70 milionë eurosh. Ministria Transportit kohët e fundit nënshkroi një kontratë konsulence me Korporatën Ndërkombëtare Financiare, IFC, për përgatitjen e procedurave të tenderit.

 “Sipas planeve qeveritare për infrastrukturë, autostrada duhet të ndërtohet më së largu deri në vitin 2018”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Transportit, Dragan Simonovski për Balkan Insight.

Ai tha se nëse dështojnë të zgjedhin kompaninë e ndërtimit me koncesion të autostradës, do të hulumtojnë opsione tjera.

Në anën tjetër të kufirit Kosova po e çon përpara pjesën e saj të autostradës së shumëpritur.

Para dhjetë ditësh Kosova zgjodhi konzorciumin amerikano-turk Bechtel-Enka për ndërtimin e autostradës shumë më të gjatë, prej 65 kilometrash nga Prishtina deri në kufirin me Maqedoninë.

Autostrada kosovare planifikohet të kryhet për 42 muaj nga nënshkrimi i kontratës.

Konzorciumi Bechtel-Enka që më 26 nëntor 2013 kompletoi autostradën e parë kosovare nga Prishtina deri te kufiri me Shqipërinë, ofroi ndërtimin e autostradës drejt Maqedonisë, për 600 milionë euro.

Rruga e re pritet të rritë ndjeshëm tregtinë dhe marrëdhëniet e tjera. Kosova është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Maqedonisë dhe është një nga vendet e pakta me të cilat ka një bilanc pozitiv tregtar, veçanërisht në produktet bujqësore dhe të naftës. Vëllimi i tregtisë ndërmjet të dy vendeve arriti në rreth 300 milionë euro në vitin 2012.

Autostrada gjithashtu do ta lehtësojë komunikimin mes komunitetit të madh shqiptar në Maqedoninë Perëndimore dhe shumicës shqiptare në Kosovë.