70 Vjeçari Akuzohet për Vjedhje Pylli (TV)

Pensionisti Sadik Shabani nga fshati Greme e Ferizajt pranoi para gjyqit se ka prerë ilegalisht dru në pyje.

Pohoi se të ardhurat e pensionit të pleqërisë në shumën prej 60 eurosh nuk i dalin për të jetuar.

“E kam prej zorit që e prej malin”, tha ai në gjyq.

Deklaroi se ka 12 anëtarë të familjes dhe se djali i tij është i sëmurë e i bërë shtatë herë operacion.

“42 euro paguaj në muaj vetëm rrymë, ndërsa kam të ardhura vetëm 60 euro në muaj”

Atij iu lexua të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj aktakuza për vjedhje pylli nga prokurori Bahri Hyseni.

Aktakuza e ngarkon Shabanin se më 14 prill 2009, në pyjet e fshatit Gaçkë të Ferizajt ka prerë ilegalisht me motorsharrë 370 trupa, ose 27 kubikë dru.

Ai nuk e pranoi këtë akuzë duke pohuar se është e vështirë të bartet kjo sasi e druve me një qerre  me kali.

Pas këtij mohimi seanca u shty.

Në seancën tjetër do të ftohen edhe dëshmitarët (rojtarët e pyllit) të cilët nuk ishin prezentë në  seancën e së martës.

Komuna e Ferizajt është e njohur si komuna më e dëmtuar në pyje.

Sipas Agjencisë së Pyjeve të Kosovës për prerjet në periudhën qershor 2012 – shkurt 2013 në komunën e Ferizajt ka ndodhur një dëmtim trefish më i madh i pyjeve, sesa ai që ishte paraparë.

Por,  Iniciativa Rinore Përparimtare, organizatë që merret me mbrojtjen e ambientit thotë se dëmi është edhe shumë herë më i madh se ky që është dhënë nga Agjencia e Pyjeve.