LDK-ja Merr Postin e Kryesuesit në Asamblenë e Prishtinës

Në votimin për kryesuesin e Asamblesë, Halim Halimi nga kjo parti ka marrë 26 vota dhe është zgjedhur për kryesues të Kuvendit të Prishtinës. Kundërkandidatët e tij, Lirak Çelaj nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Brahim Mehmetaj nga Lëvizja për Bashkim, kanë marrë 9, përkatësisht 15 vota.

Lëvizja Vetëvendosje në anën tjetër nuk ka kandiduar ndonjë anëtar të tyre për këtë post.

Në mbledhjen që u përcoll me ndërprerje të shpeshta, prezentë ishin 50 këshilltarë nga gjithsej 51 sa ka Prishtina.  Vetëm Fisnik Ismaili nga Vetëvendosje mungonte.

Në fjalimin e tij para këshilltarëve, kryesuesi i porsazgjedhur Halimi, ka falënderuar këshilltarët dhe është zotuar para tyre se punën do ta kryej në bazë të ligjit dhe statutit të komunës.   Halim Halimi ka qenë drejtor i Arsimit nën udhëheqjen e Isa Mustafës.

Në anën tjetër, Yll Hoxha, shef i grupit të Vetëvendosjes në asamble, e ka arsyetuar moskandidimin e ndonjë anëtari nga Vetëvendosja për kryesues, duke thënë se Vetëvendosje ka dashur që të ketë një kryesues konsensual. 

“Ndarja e përfaqësimit në asamble ka qenë e tillë, të cilën e kemi konsideruar se duhet një person konsensual.  Parimi i dytë është që ne kemi ekzekutivin e komunës dhe kemi qenë të gatshëm që ky post t’i takojë ndonjë subjekti tjetër në mënyrë që të ushtrohet njëfarë kontrolli në mes të legjislativit dhe ekzekutivit. 

Megjithatë, ai ka thënë se LDK-ja nuk i ka kontaktuar ata që të bisedojnë rreth kandidaturës së Halimit. Por ai ka thënë se nuk do të ketë pengesa në funksionimin e asamblesë me zgjedhjen e Halimit në këtë post.

“Absolutisht nuk shoh asnjë pengesë. Qasja jonë do të jetë e tillë ashtu siç e ka përmend edhe kryetari Ahmeti, që ne do të jemi bashkëpunues në interes të qytetarit. Do të jemi agresivë në komunikim për të çuar përpara interesin e këtij qyteti”, tha Hoxha.

Vetëvendosje në kohën kur ka fituar pushtetin në Prishtinë e kishte bërë të qartë që nuk do të ketë koalicione me asnjë subjekt politik, por vetëm bashkëpunime.  Edhe partitë tjera kanë thënë se nuk do të bëjnë marrëveshje për votimin për kryesuesin e asamblesë së Prishtinës.

Këtë gazetës ia ka konfirmuar edhe Brahim Mehmetaj nga Lëvizja për Bashkim, subjekt i cili ka dy këshilltarë në asamble, e cili fitoi 15 vota.  Megjithatë, ai ka thënë se nuk kanë bërë marrëveshje me asnjë subjekt dhe se votimi ka qenë dëshirë e individëve që vijnë nga disa parti që janë të përfaqësuara në Prishtinë.

Pas përfundimit të votimit, në korridorin e komunës të relaksuar duke biseduar janë parë dy shefat e grupeve, Sami Hamiti nga LDK-ja dhe Ylli Hoxha nga Lëvizja Vetëvendosje.

Megjithatë, pa problem nuk kaloi pika e tretë e rendit të ditës në të cilën ishte paraparë zgjedhja e anëtarëve të Komitetit për Politika dhe Financa.

Partia Demokratike e Kosovës nuk pajtohej me propozimin e kryesuesit të Kuvendit që në përbërjen e këtij komiteti të jenë tre anëtarë nga LDK-ja, dy nga Vetëvendosje dhe të tjerët të kenë nga një përfaqësues.

Lirak Çelaj dhe Memli Krasniqi u treguan të zëshëm për të kërkuar që të shfrytëzohet një formulë tjetër e përfaqësimit në këtë komitet.

Sipas Çelajt, formula e propozuar  është marrëveshje e subjekteve politike. Sipas tij, PDK-ja është dëmtuar, sepse siç ka thënë ai, partia e tij po krahasohet me parti ndaj të cilave ka gjysmë herë më shumë vota.

Në anën tjetër, këshilltarët nga Lidhja Demokratike por edhe nga Zyra Ligjore e Komunës kanë thënë se përfaqësimi në këto komitetet është i rregulluar me ligj dhe kanë kërkuar që të vazhdohet votimi.  Ndërsa kryetari Ahmeti ka kërkuar që meqë është filluar votimi, ky proces të vazhdohet.

Para se të votohet, Ylli Hoxha nga Vetëvendosje ka kërkuar që formula e përfaqësimit në asamble të hidhet në votim, por edhe kjo kërkesë është refuzuar.  Por para se të ketë kundërshtime nga ana e PDK-së, Hoxha paraprakisht është dakorduar me formën e përfaqësimit të partive në komitet.

Megjithatë, votimi nuk është ndalur dhe me shumicë votash u miratua anëtarësia e komitetit, ashtu siç u propozua nga kryesuesi i kuvendit.  Pro përbërjes së këtij komiteti ishin 33 këshilltarë, 4 ishin kundër, kurse tre abstenuan, ndër ta edhe Visar Arifaj i Partisë së Fortë.

Shpend Ahmeti u zgjodh kryetar i Prishtinës në zgjedhjet e fundit lokale, pasi që mundi në raundin e balotazhin Isa Mustafën, mirëpo Lidhja Demokratike e Kosovës prin me numër të këshilltarëve në kuvendin e Prishtinës.  Kjo parti ka 18 këshilltarë, ndërsa Vetëvendosje ka 10. 

Partia Demokratike ka 8, kurse Aleanca për Prishtinën dhe Aleanca Kosova e re kanë nga 4 këshilltarë.