Ismajli: Nuk Ka Kompensim për Axos-in (TV)

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismajli bëri të ditur se asnjë kompensim nuk do t’i shkojë kompanisë Axos e cila u shpall fituese vitin e kaluar për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Ismajli tha se qeverinë e Kosovës e mbrojnë dokumentet e transaksionit dhe nuk ndihet e kërcënuar për kompensimin që Axos po e kërkon.

“Qeveria i ka të gjitha instrumentet dhe është e mbrojtur me dokumentet e transaksionit ku ka pas të drejtën me nenin 1.1 të këtyre dokumenteve me anulu në çdo moment këtë proces”, tha Ismajli.

Privatizimi i PTK-së nuk ndodhi për shkak se procesi nuk mori bekimin e Kuvendit të Kosovës ku opozita kundërshtonte ashpër këtë proces dhe kishte bojkotuar disa herë seancat në kuvend, kur kërkohej që të votohej raporti i qeverisë për shitjen e PTK-së.

Partitë opozitare kërcënuan se nuk do ta votojnë edhe buxhetin e vendit për vitin 2014, pas tentimit të qeverisë që me një amendament në këtë ligj të fusë edhe çështjen e privatizimit të PTK-së.

Konzorciumi gjermano amerikan, Axos-Najafi në prill të vitit 2013 u shpall fitues për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, me çmimin e ofruar prej 277 milionë eurosh.

Drejtori ekzekutiv i Axos-it, Jan Budden tha se kompania e tij do të kërkojë kompensimin.

“Nuk do të dorëzohemi deri në kompensim, sepse ka qenë një kohë e gjatë e procesit dhe përgatitjes dhe ne kemi shpenzuar mjaft para në këtë”, i tha Budden Gazetës Jeta në Kosovë.

Budden shtoi se qeveria e Kosovës nuk ka të drejtë të mos vazhdojë me privatizimin e PTK-së.

Ismajli tha se 30 dhjetori i vitit të kaluar ka qenë afati i fundit për nënshkrimin e kontratës dhe se qeveria e Kosovës nuk ka mundur të vazhdojë më tutje.

“Çdo vazhdim mund të quhet thyerje ligjore”, tha Ismajli.

Ministri Ismajli i bëri këto komente pas takimit me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, me ftesë të këtij të fundit, për të diskutuar lidhur me mungesën e furnizimit me ujë në kryeqytet.

Ahmeti dhe Ismajli folën për një koordinim më afatgjatë dhe të dy institucionet po presin një raport nga kompania e ujësjellësit në Prishtinë për ndonjë skenar të mundshëm afatshkurtër për të zgjidhur çështjen e mungesës së ujit.