Krasniqi Kundër Ndryshimit të Kushtetutës për Minoritetet

Edhe pse ambasadorët e vendeve të Kuintit,  janë pro vazhdimit edhe për një mandat shtesë për vendet e rezervuara, kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe disa nga partitë opozitare janë kategorikisht kundër.

Madje, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se nuk është e shëndetshme për demokracinë që në Kuvend të ketë më shumë numra që nuk janë vullnet i qytetarëve të Kosovës.

“Konsideroj që kjo çështje ka qenë mirë e diskutuar, mirë e zgjidhur dhe mirë e precizuar edhe në dokumentin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit dhe në Kushtetutën e Kosovës, ku janë dy mandate dhe këto dy mandate kanë përfunduar dhe unë mendoj që ka ardhur koha që komunitetet pakicë mos t’i shohin të drejtat e tyre nga një numër më i vogël apo më i madh i tyre në Kuvendin e Kosovës, por t’i shohin të drejtat e tyre si realizohen” tha Krasniqi.

Ai tha se çështja e vendeve të rezervuara nuk duhet të jetë pjesë e kushtetutës.

“Kushtetuta i ka disa dispozita kalimtare dhe çështja e vendeve të rezervuara përfundon  me këtë kushtetutë, nuk ekziston asnjë arsye që për këtë çështje të ndryshohet kushtetuta dhe kjo çështje të futet si pjesë e saj” shtoi Krasniqi.

Neni 64 i Kushtetutës garanton njëzet vende në Kuvend për pakicat, dhjetë prej tyre për serbët kosovarë. Përveç këtyre vendeve, çdo deputet që pakicat fitojnë gjatë zgjedhjeve është deputet shtesë i tyre, nëse nuk e kalon numrin e vendeve të garantuara për secilin minoritet.

Në nenin 148 të dispozitave kalimtare të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se vende të tilla pakicat do të kenë për dy mandate, pas hyrjes në fuqi të kësaj kushtetute. Kushtetuta e Kosovës u bë e plotfuqishme nga 15 qershori i vitit 2008, ndërsa 2014-ta është viti kur përfundon mandati i dytë i vendeve të rezervuara për pakicat.

Edhe Ismet Beqiri nga Grupi Parlamentar i LDK-së tha se është kundër një mandati shtesë për minoritetet.

“Ne e kemi thënë dhe sot po e përsëris, për asnjë arsye nuk shohim që të vazhdojë edhe për një mandat apo me tepër të vazhdojnë mandatet e rezervuara për komunitete”, tha Beqiri.

Për t’u vazhduar mandatet e rezervuara pakicave, duhet të ndryshohet Kushtetuta. Beqiri u shpreh kundër këtij ndryshimi.

“Ne nuk do të jemi pjesë e një vendimi që e ndryshon Kushtetutën dhe nuk përkrahim vazhdimin e mandateve të rezervuara”, shtoi Beqiri.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje e kundërshton vazhdimin e mandateve shtesë për komunitetet.

Visar Ymeri me 23 dhjetor ka thënë së vendet e rezervuara paraqesin një lloj pabarazie dhe padrejtësie ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Konsiderojmë që vota e secilit qytetar të Kosovës duhet ta ketë peshën e njëjtë dhe natyrisht që Kuvendi të përbëhet nga persona të cilët janë votuar, e jo nga persona të cilët i kanë vendet e rezervuara, si rrjedhojë e një privilegji të caktuar”, ka shtuar Ymeri.

AAK-ja, partia tjetër opozitare, nuk është për vazhdimin e mandateve, por dëshiron që për këtë çështje të diskutohet dhe të arrihet një vendim i përbashkët.

Komunitetet joshumicë të vendit, më 11 dhjetor të vitit të kaluar mbajtën një tryezë të quajtur “Vendet e rezervuara në Parlament për komunitete joshumicë në proceset e ardhshme zgjedhore”.

Në tryezë morën pjesë edhe ambasadorë të vendeve të BE-së në Kosovë, por takimi ishte i mbyllur dhe ata nuk u deklaruan para mediave.

Ambasadori gjerman Peter Bloyemer, në javën e kaluar në një panel diskutimi të organizuar nga “Grupi për Studime Juridike dhe Politike”, tha se është mirë për Kosovën që komuniteteve të vazhdohet edhe një mandat shtesë me vendet të rezervuara.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës është pro një mandati shtesë me vende të rezervuara për komunitetet.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti, me 23 dhjetor ka thënë se duhet të gjendet një zgjidhje e cila u garanton pakicave vendet e tyre.