Kuvendi Do Diskutojë Për Fabrikën e Tubave të Ferizajt

Të enjten në seancën e Kuvendit pritet të diskutohet mes tjerash edhe për proceset e privatizimit të Fabrikës së Tubave të Çelikut në Ferizaj dhe Fabrikës së Amortizatorëve në Zonën Industriale të Prishtinës, njoftoi kryeparlamentari Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Krasniqi shtoi se këto dy pika janë debate që kanë mbetur pa u shqyrtuar nga sesioni vjeshtor i vitit 2013. Të dy këto fabrika dhe punëtorët e tyre i kanë problemet e veta.

Fabrika e Amortizatorëve, u privatizua nga kompania Devolli Group në vitin 2010, në valën e 45 të privatizimit të organizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Gazeta Jeta në Kosovë shkroi një vit më vonë për  privatizimin e kësaj ndërmarrjeje.

Fabrika e Tubave të Çelikut në Ferizaj qe privatizuar në vitin 2007 për një shumë prej 3 milionë e 657 mijë eurove.

Punëtorët e kësaj fabrike të larguar nga puna në vitin 1989, në kohën e masave të dhunshme të vendosura nga shteti serb nëpër ndërmarrjet kosovare, kërkuan me rrugë ligjore kompensim për pagat e mohuara të tyre në dhjetëvjetëshin 1989-1999.

Ish-Gjykata Komunale e Ferizajt në vitin 2002 vendosi që punëtorët kanë të drejtë të kompensohen. Në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese obligoi qeverinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit që për largim të padrejtë nga puna, t’i dëmshpërblejë punëtorët me 26 milionë euro.

Këtë kompensim e kishte caktuar ish-Gjykata Komunale e Ferizajt, ndërsa një shumë e tillë është gati sa dhjetëfishi i shitjes së ndërmarrjes nga AKP-ja. 

Ismet Beqiri, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se është kundër diskutimit për Fabrikën e Tubave në Kuvend.

“Tash, tentimi që të futet përsëri debati për këtë fakt, është vetëm që të hiqet përgjegjësia nga Qeveria dhe t’i bartet Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Ne konsiderojmë dhe jemi të bindur se ky debat është i paarsyeshëm dhe i panevojshëm”, tha Beqiri.

Zëvendësministri i Financave Ramadan Avdiu i tha Gazetës Jeta në Kosovë në majin e vitit të kaluar se qeveria nuk i konteston vendimet e gjykatave, por i mungojnë mjetet për të kompensuar punëtorët. Edhe AKP-ja tha atëherë se nuk ka mjete për dëmshpërblimin.

Ismet Beqiri, kundërshtimin për të debatuar për këtë çështje në Kuvend tha se nuk po e bën për të mos përkrahur punëtorët e fabrikës. Ai tregoi se LDK-ja në shkurt të 2013-ës inicioi debatin në Kuvend për mosekzekutimin e vendimeve të gjykatave për këtë rast.

“Më 21 shkurt të vitit 2013 është mbajtur debati dhe është nxjerrë rekomandimi me të cilin shumë qartë kërkohet që të ekzekutohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ka të bëjë me këta punëtorë, prandaj është absurde dhe vërtet është një tentim për t’u hudhur pluhur syve këtyre punëtorëve se gjoja po merremi me juve”, shtoi Beqiri.

Diskutimi për këtë çështje konfirmohet edhe nga arkivi i lajmeve të Kuvendit të Kosovës.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të para tre vjetëve, qeveria dhe AKP-ja obligoheshin që brenda gjashtë muajve ta njoftonin gjykatën lidhur me masat e ndërmarra për zbatimin e aktgjykimit në dobi të kompensimit të punëtorëve.

Kryeministri Thaçi, kur vizitoi Ferizajn në tetor 2013, gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, ndërroi fjalët kur u takua me këta punëtorë.

“Avokati më i madh i juaji jam unë, dhe kam punuar për juve edhe pa u takuar me juve”< u tha atëherë punëtorëve kryeministri Thaçi.