Rrënimet Fillojnë me ELKOS-in e Deputetit të AAK-së (TV)

Një ekskavator është angazhuar nga komuna e Prishtinës të premten, të rrënojë një pjesë të objektit të kompanisë “ELKOS”, në Kodër të Trimave, e cila sipas komunës ka tejkaluar lejen e ndërtimit.

“Inspektorati komunal ka marrë vendimin për rrënimin e menjëhershëm  të këtij tejkalimi të lejes”, tha Xhelal Sveçla drejtor i Inspektoratit komunal, pak para fillimit të rrënimit të objektit.

Tregoi se i kanë dhënë vërejtje palës që të intervenojë vetë dhe të rrënojë objektin pa leje, por sipas tij nuk është parë një gatishmëri e tillë nga ana e ELKOS-it.

Ai tha se subjekti në fjalë ka marrë lejen e ndërtimit më 12 shkurt 2013, por e ka tejkaluar atë leje.
 
Sveçla tha se vendimi për rrënimin e këtij objekti është marrë me 31 dhjetor 2013, kur sipas tij Lëvizja Vetëvendosje realisht nuk e kishte marrë ende pushtetin efektiv.

Nga ana tjetër, Fatos Alimehaj, përfaqësuesi i kompanisë “ELKOS”, tha se kompania e përfaqësuar nga ai ka bërë kërkesë për legalizim në Drejtorinë e Urbanizmit, por ende nuk kanë marrë përgjigje.

“Është shtuar ndërtimi përtej lejes me diku rreth 1. 8 për qind, kurse ne kemi paguar lejen e ndërtimit diku afër 400 mijë euro”, tha ai.

Ai tha se një kërkesë për rrënime kanë marrë me 23 dhjetor të vitit të kaluar, nga ana e Inspektoratit.

“Ne kemi bërë kërkesën në Drejtorinë e Urbanizmit për të legalizuar pjesën e tejkaluar të objektit të ndërtuar pa leje. edhe ata na kane thanë që duheni me prit”, tha Alimehaj.

Sipas tij kërkesa është bërë me 3 janar 2014.

“Kam kërkuar për të na mundësuar që në çfarëdo forme që është e mundur, ose për të bërë ndonjë projekt shtesë, për të bërë ndonjë mundësi për legalizim, por ata na kanë thënë që duhet pritur”, tha ai.

Alimehaj tha se nuk është e vërtetë që Vetëvendoisja nuk ka pasur pushtet faktitk më 23 dhjetor, sepse sipas tij betimi i Shpend Ahmetit është bërë më 26 dhjetor, ndërsa kompanisë ELKOS, vendimi i ka ardhur më 31 dhjetor.

Shpend Ahmeti ka emëruar drejtorët e drejtorive komunale më 27 dhjetor, një ditë pas betimit të tij si kryetar.

Kompania “ELKOS” është në pronësi të Ramiz Kelmendit, deputetit të AAK-së.

Rrënimet do të vazhdojnë

Sa i përket rrënimit të të gjitha objekteve pa leje, Sveçla tha se për administratën e komunës me rëndësi janë lëndët, e jo emrat e përveçëm.

“Do ta zbatojmë ligjin pikë për pikë, pavarësisht se kush është ai ndërtues. Aksione të tilla do të kemi në vazhdimësi, javët e ardhshme deri në momentin kur zbatohet ligji edhe të gjithë ndërtuesit disiplinohen në mënyrë që të punojmë në bazë të rregullave dhe ligjeve në fuqi”, tha  Sveçla.

I pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë, nëse do të rrënojë garazhet e ndërtuara në oborrin e PDK-së, për të cilat komuna e Prishtinës i ka dërguar kësaj partie disa herë vërejtje, Sveçla tha se janë në fazën e analizimit të gjendjes.

“Në momentin kur ne shohim bazë ligjore për t’i rrënuar, unë ju garantoj që ato do të rrënohen”, tha Sveçla.

Ai më tutje shpjegoi se Ligji për Legalizim,parasheh që të gjitha objektet të cilat janë ndërtuar pa leje para 25 gushtit, janë subjekt i një paneli që do të shqyrtojë mundësinë e legalizimin apo moslegalizimit të tyre.

“Objektet që janë ndërtuar pas 25 gushtit dhe shkelin ligjin e ndërtimit, ato automatikisht në bazë të procedurave të inspektoratit dhe ligjit do të jenë subjekt i rrënimit”, tha drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës.