Qytetarët Jashtë Qeverisjes së Komunave të Tyre

“Monitorimi jonë nëpër komuna tregon që shumë qeveri lokale, duke përfshirë këtu edhe administratën lokale, mbesin të mbyllura për publikun dhe anashkalojnë kërkesat dhe mendimet e qytetarëve”, tha Jetmir Bakija i KDI-së, gjatë prezantimit të raportit.

Ai tha se niveli i trasparencës në komuna mbetet i dobët ku dokumente bazike si rregulloret komunale, procesverbalet e Kuvendit, planet urbanistike, buxheti i komunës, raportet e shpenzimeve nuk publikohen në faqet zyrtare të komunave, ndërsa kërkesat për qasje në dokumente zyrtare shpesh mbeten pa përgjigje, ose kthehen me shumë vonesë.

Sipas Avni Sahitit, udhëheqësit të Departamentit për Performancë dhe Transparencë Komunale, çështjen e hapjes së komunave ndaj qytetarëve të tyre, publikut dhe medieve, e përcakton Rregullorja për Transparencë në Komuna.

Neni 6 i kësaj rregulloreje mes tjerash tregon se në vebfaqet komunale dhe mediat lokale duhet të publikohen të gjitha aktivitetet komunale pa kufizime publike. Përjashtim bëjnë vetëm aktivitetet, veprimet dhe vendimet komunale të cilat mund rë mos publikohen vetëm në rastet kur me mospublikim mbrohet interesi publik, në pajtim me Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare.

“Në ato komuna ku ka pasur zyrtarë për informim, apo aty ku këta zyrtarë kanë qenë tejet pasivë, transparenca ndaj qytetarëve, si element thelbësor i një qeverisjeje të mirë ka mbetur vetëm në fjalorin e të zgjedhurve”, tha Bakija.

Raporti i KDI-së tregon se edhe takimet me qytetarë për projekte të rëndësishme kapitale dhe realizim të buxhetit nëpër disa komuna janë bërë vetëm sa për ta përmbushur rregullën ligjore, duke mos dëgjuar brengat dhe reagimet e qytetarëve.

Raporti ka përfshirë komunat e Deçanit,Gjakovës, Kaçanikut, Klinës, Fushë-Kosovës, Kamenicës, Mitrovicës, Skenderajt, Shtimes, Vitisë, Malishevës, Junikut, Mamushës, Graçanicës, Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit.

 “Nga 18 komuna që kemi monitoruar, 11 komuna nuk kanë komitete konsultative që janë shumë të rëndësishme për përfshirjen e ekspertëve lokalë në punën e kuvendeve komunale”, tha Bakija.

Kryetarja e Gjakovës Mimoza-Kusari-Lila, e pranishme në debat tha të ketë themeluar tri komitete konsultative për Zhvillim Ekonomik, Arsim dhe Raste Sociale, ndërsa premtoi transparencë komunale nëpërmjet veb-faqes së komunës që drejton dhe rrjeteve sociale. Ajo tregoi se është hapur faqja zyrtare e Komunës së Gjakovës në Facebook.

Neni 73 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale obligon komunat që të krijojnë komitete konsultative me qëllim të pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e vendimmarrjes.

Fushëveprimtaria e këtyre komiteteve rregullohet me udhëzimin administrativ 2008/10, të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Neni 3 i udhëzimit thotë se komunitetet themelohen nga kuvendi komunal me propozim të kryetarit të komunës, ndërsa kërkesa për komitete të tilla mund të dërgojnë komitetet e përhershme në komunë dhe grupet e qytetarëve.

Edhe kryetarët e Kamenicës dhe Kaçanikut Begzat Sinani dhe Besim Ilazi që ishin gjatë prezantimit të raporteve për komunat nga KDI-ja, thanë se do të marrin seriozisht rekomandimet e organizatës joqeveritare për rritje të transparencës nëpër komunat që udhëheqin.

Asamblistët pasivë

Raporti merret edhe me asamblistët e kuvendeve komunale të komunave të monitoruara. Sipas KDI-së kuvendarët në masë të madhe nuk ngrenë çështje, duke mbetur pasivë.

Nga ana tjetër, Avni Sahiti, drejtor i Departamentit për Trasparenc për komuna, nga Ministria e Pushtetit Lokal, tha që ministria ka nxjerrë një Rregullore për Trasparencë në komuna dhe aty shihen qartë ndarja e akteve komunale përmes ueb-faqes, dhe obligon komunat të përgjigjen në dokumentet zyrtare dhe për tu konsultuar me qytetarët për vendime të rëndësishme të komunës.

Edhe, Organizata mediale Internews Kosova dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, më 11 qershor të vitit të kaluar publikuan një raport mbi transparencën elektronike të komunave në Kosovë të titulluar “e-transparenca në komunat e Kosovës”.

Raporti thekson sfidat dhe rezistencën e autoriteteve komunale në implementim të e-qeverisjes si dhe rolin e pjesëmarrjes së qytetarëve për llogaridhënie nëpërmjet teknologjisë informative.

Raporti, nxori në pah nevojën për presion në komuna nëpërmjet shoqatave dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në transparencën e komunave për implementim të e-qeverisjes.

 Ky raport po ashtu identifikoi se vebfaqet zyrtare të komunave deri më tash nuk ofrojnë transparencë të mjaftueshme për projektet dhe alokimin e parasë publike.

Sipas këtij raporti, vebfaqet  janë në shërbim të promovimit të aktiviteteve të Kryetarit të Komunës, kurse planet dhe buxhetet janë të prezantuara dobët.