Blomeyer: EULEX-i Ende Ka Punë

I pranishëm në prezantimin e raportit për politikën e jashtme të Gjermanisë, një raport i hartuar nga dy organizata joqeveritare, ambasadori gjermani shtetit më të fuqishëm në Evropë, Peter Blomeyer, tha që EULEX-i duhet ende të qëndrojë në Kosovë.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi udhëtoi të mërkurën për Bruksel, me qëllim që me autoritetet e Bashkimit Evropian, të diskutojë të ardhmen e EULEX-it në Kosovë.

“Ne kemi shumë ekspertë në EULEX dhe ata po më tregojnë se Kosova që institucionet e Kosovës nuk janë të përgatitura për t’i marrë përgjegjësitë. Zgjatja e mandatit të EULEX-it, ose një misioni pa marrë parasysh se si do të quhet, është në interes të Kosovës”, tha Blomeyer.

Ministria e Drejtësisë në njoftimin e saj për udhëtimin e Kuçit, të publikuar të martën, thotë se ministri është në Bruksel mes tjerash edhe për tranzicionin  e kompetencave të misionit evropian te institucionet kosovare.

Blomeyer në këtë prezantim foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi të zhvilluar në kryeqytetin e Evropës.

“Sot mund të lexojmë në gazetat në Kosovë se dialogu ka dështuar dhe nuk ka shkuar si duhet. Por kjo është gabim. Politika e jashtme e Gjermanisë mbështetë këtë dialog”, shtoi Blomeyer.

Ai tha se korrupsioni është shumë i pranishëm në Kosovë duke e dobësuar atë, ndërsa theksoi se Gjermania nuk e do një Kosovë të dobët.

Engjëllushe Morina nga Këshilli i Prishtinës për Marrëdhënie me Jashtë, njëra nga organizatat hartuese të raportit, vlerësoi rolin e Gjermanisë në të gjitha proceset nëpër të cilat kaloi e po kalon Kosova.

“Gjermania ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në tërë procesin e bisedimeve dhe roli i saj bëhet shumë më dinamik në vitin 2011, sidomos pas situatës së re të krijuar në korrik të vitit 2011, në veri të Kosovës”, tha Morina gjatë prezantimit të raportit të titulluar “Politika e Jashtme e Gjermanisë ndaj Kosovës”, të mërkurën.

Ajo e kishte fjalën për aksionin e Policisë së Kosovës të zhvilluar më 25 korrik 2011për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit, kur u vra polici Enver Zymberi. Më pas nga gushti i atij viti serbët e veriut bllokuan rrugët që çonin drejt këtyre pikave, duke vendosur në to barrikada.

Morina tha se ndikimi i shtetit gjerman ishte  vendimtar për ta qetësuar situatën në veri dhe për t’ia bërë të qartë Serbisë se nuk do të ketë përparim në rrugën e saj evropiane, nëse nuk tregohet konstruktive në dialog me Kosovën dhe nuk punon për heqjen e strukturave të saj nga pjesa veriore e Kosovës.

Kancelarja Angela Merkel këto porosi ua dërgoi autoriteteve të Serbisë, kur vizitoi Beogradin më 23 gusht 2011.

 “ Gjermania edhe në ditët e sotme, po vazhdon të luajë rol të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm sidomos në fushën e sigurisë, rendit dhe ligjit, bashkëpunimit zhvillimor dhe përkrahjen e politikave në sferën e njohjeve të shtetit të Kosovës me relacionin me Serbinë dhe në relacion me Bashkimin Evropian”, tha Morina.

Raporti tregon se Gjermania është shteti i dytë për nga ndikimi në Kosovë, menjëherë pas ShBA-ve. , ndërsa është përfshirë në krijimin e paqes dhe shtetndërtimit të Kosovës. Sipas raportit, diaspora kosovare në Gjermani, në vitin 2011 dërgonte 34 për qind të remitancave kosovare.

Gjermania nga viti 1999 i ka dhënë Kosovës 400 milionë euro donacione, precizon raporti.

Gjermania strehoi qeverinë në ekzil

I pranishëm në debatin ku u diskutua për diplomacinë gjermane dhe Kosovën, ishte edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme Petrit Selimi. Ai u kthye prapa për të treguar lidhjet e veçanta të kosovarëve me shtetin numër një të BE-së.

Selimi tregoi se punëtorë të shumtë nga Kosova shkuan për të punuar në Gjermani gjatë viteve ‘60 dhe ’70, ndërsa në këtë shtet nga intelektualë shqiptarë sipas Selimit u krijuan elementet e para të shoqërisë civile të Kosovës.

“Ka qenë gjuha gjermane e cila u adaptua nga kosovarët e para, e jo gjuha angleze, pra gjuha gjermane ka qenë gjuha e biznesit dhe e shoqërisë civile në vitet e periudhës së autonomisë së Kosovës”, tha Selimi.

Selimi tha gjithashtu se Gjermania ndihmoi Kosovën edhe gjatë viteve më të vështira të saj.

“Qeveria në ekzil, gjatë viteve ‘90, ka qenë e vendosur në Gjemani. Delegatët të cilët e shpallën Kushtetutën e Kaçanikut, pastaj gati të gjithë ikën në Gjermani”, shtoi Selimi.

Qeveria e Kosovës, e themeluar pas Deklaratës së 2 Korrikut dhe Kushtetutës së 7 shtatorit 1990 që nuk u pranua ndërkombëtarisht, zhvilloi aktivitetin e saj në shtetin gjerman, pasi autoritetet serbe që kontrollonin Kosovën nuk lejonin funksionimin e saj në atë kohë.

Delegatët e Deklaratës Kushtetuese që shpallte Kosovën të barabartë me republikat tjera të sih-Jugosllavisë, ndiqeshin dhe shumica atëherë emigruan.

Investimet gjermane janë zvogëluar

Raporti tregon se investimet gjermane kanë rënë në Kosovë. Ato në vitin 2010 kapnin 25 përqindëshin nga totali i investimeve të huaja, ndërsa një vit më vonë nuk e kalojnë shifrën e 17 përqindëshit. Megjithatë Gjermania për nga investimet është e treta në Kosovë, pas BE-së dhe ShBA-ve.

Në Kosovë janë regjistruar 584 kompani gjermane, ndërsa në Serbi numri i tyre është 15 mijë, precizon raporti. Engjëllushe Morina këtë trend e shpjegoi me këto fjalë: “janë dy arsye për këtë rënie. Vendet e tjera të rajonit janë më atraktive për biznes dhe tjetra është se investitorët  e huaj po ankohen se po hasin në shumë pengesa gjatë tentimeve të tyre në investime në Kosovë”, tha Engjëllushe Morina.