Kujtojnë Dhimbjen dhe Ndihen Krenarë (TV)

Pesëmbëdhjetë vjet më pas, familjarë të viktimave thonë se ende i kanë të freskta tmerret e asaj dite, por se gjejnë ngushëllimin nga vizitorët e shumtë dhe se ndjehen krenarë për sakrificën e tyre.

 Xhevahir Hysenaj i cili në këtë masakër kishte humbur babanë e tij tha se kujtimet mbesin të freskëta.

”Kujtojm[ ato ngjarje tragjike dhe kemi dhimbje të njëjtë, mirëpo falenderojmë ata që na japin një përkrahje morale dhe kurajo t’i përballojmë kësaj ngjarje”, tha Hysenaj.

Edhe Hanefi Hajrizi i cili para pesëmbëdhjetë vjetësh kishte humbur djalin në këtë masakër, tha se në praninë e vizitorëve ndihet më mirë.

Naim Ismajli, kryetar i Komunës së Shtimes, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ndjenjat në këtë ditë janë të përziera.

”Ne kujtojmë dhimbjen e madhe, por është edhe një krenari, sepse tash jemi shtet i ri dhe ne si institucione mundohemi të jemi afër familjarëve që ta kenë dhimbjen sa më të vogël”, tha Ismajli.

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Nerodimes, Shukri Buja, tha se kjo ditë kthen kujtime të dhimbshme.

”Mirëpo kjo ditë është edhe dita e kthesës në historinë e Kosovës, sepse Masakra e Reçakut futi mekanizmin ndërkombtarë në veprim”, tha Buja.

Ai tha se në këtë ditë kujtohen edhe bashkëluftëtarët që kanë dhënë jetën për lirinë që gëzojmë sot.

Familjarë të viktimave të kësaj masakre qëndronin afër vendit ku ishte i varrosur familjari i tyre,  ndërsa homazhet qoftë nga insitucionet, ose qytetarët bëheshin në qetësi, pa fjalime.

Për nderim të viktimave të Reçakut, të mërkurën ishin edhe presidentja Atifete Jahjaga, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërnava, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti e shumë e shumë të tjerë.