Seanca e Kuvendit me Nenin e Privatizimit të PTK-së në Buxhet

“Në seancën e ardhshme parlamentare, e cila do të mbahet të enjten me 26 dhjetor, do të diskutohet edhe buxheti i Kosovës për vitin 2014, së bashku me amendamentin tetë për privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së”, tha Xhavit Haliti, nënkryetar i Kryesisë së Kuvendit.

Ai tha se ka pasur një deklarim të Lidhjes Demokratike të Kosovës që të hiqet amendamenti tetë nga Projektbuxheti, por ne si Kryesie e Kuvendit nuk mundemi ta bëjmë një gjë të tillë.

“Për heqjen ose jo të këtij amendamenti, do të vendosë seanca e Kuvendit”, shtoi Haliti.

Amandamenti 8 i Projektbuxhetit përmban këtë tekst: “Mjetet në shumën prej 277 milionë eurosh nga shitja e 75% të aksioneve të PTK-së, përfshihen në bilancin bankar, sipas Ligjit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2014. Këto mjete, siç përcaktohet me nenin 22.A.6, të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, të plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin 04/L-194, do të përdoren vetëm për investime kapitale. Më miratimin e Ligjit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2014, raporti i dorëzuar nga Qeveria më 27 maj 2013, nr.144/13 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, konsiderohet i miratuar”.

Para dhjetë ditësh, Lidhja Demokratike e Kosovës tha në një komunikatë se nuk do të marrë pjesë në seancë, nëse Projektbuxheti provohet të kalohet në kuvend me amendamentin tetë.

 Sipas LDK-së, ky subjekt nuk do të miratojë buxhetin që përmban Raportin e Komisionit Ndërministror për Privatizimin e PTK-së. Ky komision kryesohet nga ministrat e financave dhe zhvillimit ekonomik, ndërsa anëtarë të tij janë përfaqësues të ministrive të tregtisë dhe industrisë, infrastrukturës dhe mjedisit.

Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, “tha se ne në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit kërkuam që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, por kjo nuk u mor parasysh nga ata të cilët me çdo kusht duan që kjo pikë të kalojë së bashku më buxhetin”.

Adem Grabovci, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, tha se “amandamenti tetë është futur pas kërkesës së Qeverisë”.

“I bëj thirrje parlamentit, pozitës dhe opozitës, sepse jemi në fund të vitit dhe dy pikat të cilat kanë mbetur pa përfunduar,  votimi i Raportit të Privatizimit të 75% të Aksioneve të PTK-së dhe formimi i Komisionit Hetimor të përfundojnë, të votohen dhe të vazhdojmë më tutje”, vijoi Grabovci.

Në tetor e nëntor seancat e kuvendit u shtynë disa herë, për mungesë kuorumi, ngase opozita kërkonte që të hetohet procesi i privatizimit të PTK-së, ndërsa pozita që të votohet raporti i privatizimit të kësaj ndërmarrjeje.

“I bëj thirrje opozitës që ta zhbllokojë procesin e jo ta bllokojë, sepse ka mjaft të tjerë që tentojnë dhe angazhohen të punojnë ditë dhe natë për të bllokuar procesin në Kosovë”, shtoi Grabovci.

Myzejene Selmani nga grupi parlamentar i KKR-së tha se “kjo pikë e cila është futur në Projektbuxhetin për vitin 2014, është pikë e cila është diskutuar edhe herëve të tjera, kur është diskutuar në lidhje me Raportin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik për Privatizimin  e 75% të aksioneve të PTK-së”.

Ajo tha “se amendamentet të cilat janë futur  në buxhet, votohen veç e veç dhe opozita ka të drejtë ekskluzive që mos votojë”.

“Është çështje e kuvendit të vendosë që një amendament të mund të kalojë në projektbuxhet, ose jo”, shtoi Selmani.

Deputetët e opozitës paralajmëruan bojkot të seancës

Ismet Beqiri i LDK-së tha se “ne si Lidhje Demokratike e Kosovës edhe njëherë po e bëjmë të ditur për opinionin, se nëse Projektbuxheti, ose leximi i dytë i Ligjit për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, shqyrtohet me amandamentin tetë, që ka të bëjë me futjen e 75% të aksioneve të shitjeve të PTK-së, ne si LDK nuk do të qëndrojmë në sallë”.

Ai tha se “jemi kundër [amandamentit], sepse është një amendament i cili nuk e ka vendin aty dhe është shumë e qartë se ky është tentim për kontrabandimin e shitjes së PTK-së nga ana e qeverisë”.

“Ne do t’i ndërmarrim të gjitha veprimet juridike që ta kontestojmë këtë mënyrë të miratimit të buxhetit, gjegjësisht të këtij amendamenti për shitjen e PTK-së, kurse vendi më adekuat do të jetë Gjykata Kushtetuese”, shtoi Beqiri.

Edhe Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se jemi kundër amendamentit tetë për privatizimin e postës së bashku me buxhetin.

Ai tha “se ne do të mundohemi ta pengojmë qoftë kuorumin, ose miratimin e këtij amandamaneti”.

“Nëse bojkoti e pamundëson miratimin e buxhetit, ne natyrisht që do ta bojkotojmë seancën”, shtoi Ymeri.