Policia Maqedonase u Përlesh me Protestues Rreth Statujës Serbe

Policia formoi një kordon në hyrje të Çarshisë së Vjetër të Shkupit të premten, për të parandaluar disa dhjetëra protestues, kryesisht të rinj që mbanin flamuj shqiptarë dhe plisa, për të arritur dhe ndoshta sulmuar statujën e kontestuar prej bronzi që ishte vendosur nja 200 metra më tutje.

Për gjysmë ore, protestuesit u përpoqën të çajnë kordonin dhe u përleshën shkurt me policinë. Menjëherë pas kësaj, ata u shpërndanë.

Deri tash nuk dihet kush e ka organizuar protestën.

Policia e ka ruajtur statujën për së afërmi që nga fillimi i muajit për shkak se statuja tashmë është shkatërruar dhe dëmtuar rëndë dhe ka shkaktuar grindje etnike.

Dy javë më parë, një grup i shqiptarëve në prani të anëtarëve të lartë të partnerit të vogël të koalicionit në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI bëri një përpjekje gjatë natës për prishjen e statujës së carit mesjetar.

Ata këmbëngulën se statuja e instaluar kohët e fundit tek “Ura e Qytetërimeve” në kryeqytet së bashku me rreth 30 statuja të tjera të figurave të shquara nga epoka dhe prejardhje etnike të ndryshme, është fyese për shqiptarët e vendit dhe prandaj e paligjshme .

Kjo ka bërë që BDI-ja të konfrontohet me partnerët e tyre të lartë të qeverisë, VMRO DPMNE-në e kryeministrit Nikola Gruevski. Partia kryesore në pushtet e quajti sulmin ” një akt vandal”.

Statuja e re është pjesë e projektit ” Shkupi 2014 “, të financuar nga qeveria për riorganizimin e kryeqytetit.

Por shqiptarët, të cilët përbëjnë një të katërtën e popullatës në Maqedoni, nuk i shohin me mirësi personalitetet e historisë serbe dhe i konsiderojnë ata simbole të shtypjes.