Betim me Kushtëzime Për Lushtakun

Gjykata e Apelit miratoi të enjten kërkesën e Arianit Kocit, avokatit të Sami Lushtakut që kryetarit të Skenderajt t’i mundësohet betimi, edhe pse ndodhet në paraburgim që nga maji.

Një kërkesë e mëhershme drejtuar EULEX-it nga dega e PDK-së në Skenderaj, më 3 dhjetor dhe një tjetër e avokatit Koci dy ditë më vonë, qenë refuzuar nga misioni evropian, me arsyetimin se sipas nenit 194 të Kodit kosovar të Procedurës Penale, lirimi nga paraburgimi mund të ndodhë vetëm për arsye mjekësore, ose humanitare.

Apeli, vendimin e bazoi në nenin 57 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Pika 57.2 e këtij neni thotë se “kryetari që dështon ta japë betimin brenda një muaji nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, e humbet mandatin”.

Por Lushtaku edhe pse do të lejohet ta bëjë betimin, do të ketë kufizime të ashpra gjatë kësaj ceremonie.

Para anëtarëve të kuvendit komunal, Lushtaku do të dalë i shoqëruar nga katër pjesëtarë të policisë ose shërbimit korrektues, të cilët do ta mbikëqyrin atë nga afër dhe zbatimin e kufizimeve nga ai.

Lushtaku do të qëndrojë në kuvendin komunal, vetëm për aq kohë sa është e nevojshme që ai të betohet.

Atij i ndalohet kontakti me të gjithë personat tjerë, përveç atyre që janë të nevojshëm për ta dhënë betimin. Ai nuk do të marrë pjesë në betimin e të tjerëve dhe në ceremonitë zyrtare, ose shoqërore të kryera me këtë rast.

Gjatë betimit të Lushtakut nuk do të lejohet prania e publikut, ose medieve, ndërsa si forcë e tretë intervenuese, nëse është e nevojshme, është paraparë të jetë policia e EULEX-it.

Lushtaku do të kthehet në qendrën e paraburgimit, menjëherë pas dhënies së betimit. Ai dhe 14 persona tjerë, po akuzohen për krime lufte të kryera në vitin 1998 dhe në fillim të vitit vijues, në një qendër ndalimi në Likovc.