Rrëfimi Për Krimin e “Skorpionëve” Shkon në Beograd

Një orë e vogël fëmijësh është ndalur në orën 9 e 10 minuta, bashkë me jetën e vajzës që e mbante.

Më 28 mars të vitit 1999, njësiti rezervë ushtarak “Skorpioni”(Akrepat), nxori nga shtëpia familjen Bogujevci të Podujevës, bashkë me mysafirët e tyre, për t’i dërguar te një kopsht i fqinjit aty afër. Ishin 19 persona, fëmijë, gra e pleq.

15-16 ushtarakë serbë, pasi i mbështetën për muri, të kapurit e tyre, i pushkatuan, duke i qëlluar me pushkë automatike. Aty mbetën të vrarë 14 njerëz nga familjet Bogujevci e Duriqi.

Të plagosur rëndë, pesë fëmijë atëherë shpëtuan, ndërsa tre prej tyre tashmë të rritur dhe të shndërruar në artistë, e kanë rikonstruktuar nëpërmjet fotografish e filmash tragjedinë personale.

Ekspozita “Bogujevcët-historia vizuale”, pritet të hapet të mërkurën mbrëma në Qendrën Kulturore të Beogradit, ndërsa do të qëndrojë në kryeqytetin serb deri më 12 janar.

Kjo ekspozitë përmban elemente të jetës së mëparshme të familjeve Bogujevci e  Duriqi, gjëra të tyre personale, të mbetura pas vrasjes, ndërsa përshkruan rrugën që të mbijetuarit kaluan nga dita tragjike, deri te shkuarja për ta marrë veten në Angli, ku edhe sot jetojnë.

Ora e Nora Bogujevcit, atëherë 15 vjeçare, e ndalur në momentin e pushkatimit, është njëra nga eksponatet e ekspozitës.

“Ne ishim të lumtur”, i tha Radios Evropa e lirë-programit në gjuhën serbe, Saranda Bogujevci, vajza e xhaxhait të Norës, të martën. Sarandës masakra ia mori edhe nënën dhe dy vëllezërit.

Sipas katalogut të ekspozitës, në Beograd do të shfaqet edhe një xhirim i një gëzimi familjar të Bogujevcëve, para se mbi ta të lëshohet vdekja. Ky xhirim i ka mbijetuar luftës.

“Kjo ekspozitë ka rëndësi të madhe”, tha për Balkan Insight, Andrej Nosov, drejtues i fondit Heartefact, njëri nga organizatorët e ekspozitës.

Ekspozita përmban dhomën e ditës së familjes Bogujevci, ashtu si ishte atëherë në vitin 1999. Përmban edhe dhomën e riprodhuar të spitalit të Prishtinës, ku të mbijetuarit u dërguan atëherë. Pjesë e ekspozitës është dërgimi i të mbijetuarve për shërim në Angli dhe gjykatorja e improvizuar, ku ata që i shpëtuan vdekjes, dëshmuan kundër “Skorpionëve” (Akrepave).

Edhe trungu familjar i Bogujevcëve dhe Duriqëve bën pjesë në ekspozitë.

Tema e ekspozitës zemëroi grupet nacionaliste djathtiste në Serbi, kështu që hapja e kësaj ekspozite u shty dhe u ricaktua të hapet disa herë për kërcënime, të drejtuara nga drejtoresha e Qendrës Kulturore të Beogradit, Mia David.

Nosov tha se ekspozita duhet të hapet, pavarësisht se çfarë mund të ndodhë. “Arti që shtron pyetje dhe çon shoqërinë përpara ka shumë më shumë kuptim se çfarëdolloj argëtimi”, shtoi ai.

Disa nga “Skorpionët” që kryen krimin, janë dënuar në Serbi.

Sasha Cvjetan, pjesëtar i “Skorpionëve”, u dënua me 20 vjet burg, në vitin 2005 nga Gjykata Serbe Për Krime Lufte. Në vitin 2009, u dënuan edhe tre “Skorpionë” tjerë. Dragan Borojeviq e Dragan Mediq, u dënuan me 20 vjet burg, ndërsa Miodrag Sholaja me 15. 20 vjet burg iu dhanë edhe Zhelko Gjukiqit, në vitin 2010.

Saranda, Jehona e Fatosi, mbajnë mend që familjen e tyre ta kenë sulmuar 15-16 persona të uniformuar.

28 marsi në Serbi festohet si dita e shtetësisë. Më 28 mars të vitit 1989 Serbia ndryshoi kushtetutën e saj, duke anuluar me amendamente autonominë e Kosovës dhe Vojvodinës, të fituar me Kushtetutën  e vitit 1974.

Më 28 mars 1999, ditën kur u vranë Bogujevcët e Duriqët, aviacioni i NATO-s, kishte hyrë në ditën e katërt të bombardimit të ish-Republikës Federale Jugosllave, pikërisht për shkak të dhunës, vrasjeve dhe deportimit të shqiptarëve.

Ekspozita e njëjtë ka qenë e hapur edhe në Prishtinë gjatë 2011-ës dhe në Tiranë vitin e kaluar.