Vështirë të Shkohet në Varrimin e Mandela-s

Edhe pse kosovarët kanë vuajtur shumë, njësoj si Nelson Mandela dhe popullsia shumicë e Afrikës së Jugut, krerët e shtetit të Kosovës, e kanë vështirë të shkojnë në varrimin e njeriut që është simbol i lirisë në botë.

Mandela vdiq më 5 dhjetor, ndërsa pritet të varroset të dielën e 15 dhjetorit.

Afrika e Jugut nuk ka njohur shtetin e Kosovës, prandaj shkuarja e zyrtarëve kosovarë në varrim, do të jetë e vështirë. 91 kryetarë shtetesh do të marrin pjesë në përcjelljen e fundit të Mandela-s.

“Jemi duke i bërë të gjitha përpjekjet që presidentja Jahjaga te shkojë në varrim të Mandela-s”, tha Arbër Vllahiu, zëdhënës i Presidencës, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kryeministri Thaçi do t’i mungojë kësaj ceremonie, njësoj si kryeparlamentari Krasniqi.

Krasniqi i është përgjigjur me “jo”, pyetjes se a do të shkojë në varrimin e liderit jugafrikan që para se të bëhej president i shtetit të tij në vitin 1994, i kaloi 27 vjet burg politik në atdhe.

Krasniqi nuk tregoi ndonjë arsye të mosshkuarjes, por shefi i protokollit në Zyrën e Kryeministrisë, Edi Sejdiu, e pati një të tillë për kryeministrin.

“Kryeministri Thaçi ka shprehë dëshirë për të marrë pjesë në varrim të Mandela-s, por nuk do të shkojë pasi që do të jetë në Bruksel për bisedime”, tha Sejdiu.

Dialogu Thaçi-Daçiq, në kryeqytetin e Evropës do të vazhdojë të premten, me diskutimet për kompetencat e Asociacionit të Komunave Serbe dhe rregullimin e punës së gjykatave, sipas marrëveshjes së 19 prillit.

I vetmi që ka gjasa të shkojë në këtë ngjarje globale, është zëvendëskryeministri i parë Behgjet Pacolli.

“Presidenti Pacolli është duke i bërë përgatitjet për të shkuar në varrim të Mandela-s, por kjo varet edhe nga autoritetet e Afrikës Jugore, pasi që ky shtet ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, thotë Jetlir Zymberaj, zëdhënës i AKR-së.

Pacolli, sipas Zymberajt do të shkojë në shtetin jugafrikan në cilësinë e zyrtarit të lartë qeveritar të Kosovës.

Zymberaj tha se gjatë ditës do të njoftojë se a do të niset Pacolli drejt Afrikës së Jugut, pasi ka planifikuar të premten të niset për atje.