Gratë të Diskriminuara në Pronë dhe në Gjyqësor (TV)

Pasi është konstatuar pjesëmarrje e vogël e femrave në trashëgimi, është kërkuar të ndryshohet Ligji për trashëgimi, në mënyrë që vetëm gjykatat të shqyrtojnë lëndët trashëgimore, e jo edhe noteria, ose ndonjë institucion tjetër. 

Kjo kërkesë ka dalë nga konferenca e USAID-it dhe ATRC-së, e mbajtur të enjten në Gjakovë, ku janë prezantuar të dhëna nga raporti monitorues i gjykatave për çështje të femrave.

Raporti ka nxjerrë në dritë shumë ngecje të sistemit gjyqësor në rastet kur të involvuara kanë qenë gratë, siç janë mospublikimi i seancave, mungesa e gjyqtarëve për lëndët trashëgimore, mosdërgimi i ftesave në mënyrë të rregullt, fillimi i seancave me vonesë, vjetërsimi i lëndëve për shkak te neglizhencës etj.

Përmes projektit të USAID-it “Qasje në Drejtësi”, 13 organizata joqeveritare në 13 komuna të Kosovës nën ombrellën e ATRC-së kanë bërë monitorimin e gjykatave.

Valbona Doli-Rizvanolli nga shoqata  “Femra aktive” në Gjakovë tha se përgjatë gjashtë muajve sa kanë monitoruar Gjykatën Themelore në këtë komunë, në lëndët civile – trashëgimore, të gjitha procedurat për trashëgiminë janë iniciuar nga palët dhe as edhe një procedurë nuk është iniciuar nga Gjykata Ex-oficio.

“Rekomandimi jonë për këtë çështje ka qenë që pas vdekjes së trashëgimtarit, gjykata të iniciojë rastin e trashëgimisë në bashkëpunim me ofiqarin, sepse sipas nesh kjo do të ndihmonte shumë”, tha ajo.

Kjo organizatë ka vërtetuar po ashtu që dërgimi i ftesave gjyqësore është problematik, sidomos nëpër fshatra, ku shpesh dy persona kanë emër te njëjtë.

“Dhe gjykata këtë s’e merr parasysh, po ashtu bëhen gabime, sepse nga palët nuk merren numrat e kontaktit, e as e-mailat, ku ftesa mund tu dërgohet”, tha Doli-Rizvanolli.

Nga kjo konferencë dolën edhe disa rekomandime siç janë: rritja numrit te gjyqtarëve te lëmisë trashëgimore, marrja e masave kundrejt palëve të cilat nuk u përgjigjen ftesave të gjykatave, dëgjimi i zërit të grave në gjykatë, ndërsa u kërkua të mbahen debate rreth avancimit te grave etj.

Kushtrim Kaloshi nga ATRC-ja tha se kjo konferencë po konstaton një gjendje që tashmë dihet.

“Mirëpo kjo tryezë është bërë për të kërkuar nga institucionet kompetente qe kësaj lëmie që trashëgimisë dhe çështjeve gjinore t’u kushtohet rëndësi më e madhe”, tha ai.

Hydajet Hyseni, koordinator i Strategjisë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, tha se monitorimet e tilla janë te rëndësishme për KGjK-në dhe se i ndihmojnë këtij institucioni.

Edhe Aishe Qorraj-Berisha, zëdhënëse në KGjK, lavdëroi monitorimin. Ajo u pajtua me konstatimin e raportit se mbajtja e seancave në zyrë të gjyqtarëve, paraqet problem të madh, sepse nuk ka transaparencë.

Por ajo nuk u pajtua me atë se duhet te ndryshohet Ligji për trashëgimi, në mënyrë që për ketë lami kompetente te jenë vetëm gjykatat, e jo edhe institucionet tjera siç është Noteria.
 
“Mirëpo nga kjo tryezë po shihet se ka një vetëdijesim te qytetarëve”, shtoi zëdhënësja e KGjK-së.

Ne këtë tryezë mori pjesë edhe drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë Maureen Shauket, e cila e lavdëroi punën e monitoruesve.

Ndërsa nga organizatat implementuese të pranishëm ishin “Femra Aktive” nga Gjakova, Organizata Publike për Iniciativa Lokale dhe Mbështetje-POLIS (Public Organization for Local Initiatives and Supports- POLIS), nga Lipjani, Qendra e Grave “Prehja” nga Skenderaj, NGO Venera- Pejë,  Këshilli i Grave për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (Women Committee for Protection of Human Rights- WCPHR) nga Fushë Kosova dhe Këshilli i Kongresit të Intelektualëve Boshnjakë të Kosovës – VKBIK nga Prizreni.