Arrestohet e Dyshuara për Blerje të Votave për GIS-in

Paraditen e së mërkurës forcat e Policisë së Kosovës janë duke bastisur shtëpinë e Gordana Stamenkoviqit-Sllavkoviqit, në fshatin Korminjan të Ranillugut.

Stamenkoviq-Slavkoviq është arrestuar të martën mbrëma me dyshimin për keqpërdorim votash.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se Gordana Stamenkoviq-Slavkoviq, po hetohet në lidhje me dyshimet për dhënie të hollash në këmbim të votave.

Hashani deklaroi se ka disa dëshmi për këto dyshime, ndërsa sipas tij, prokurori Agron Uka ka ngritur kallëzim penal kundër Stamenkoviq-Slavkoviqit, për marrje, ose dhënie të mitës.

Stamenkoviq-Slavkoviq këtë vepër të dënueshme dyshohet ta ketë bërë në fshatin Korminjan të Ranillugut. Ajo është arkëtare në sigurimin social të strukturave paralele, të mbështetura nga Serbia, në Kamenicë.

Votat Stamenkoviq-Slavkoviq, dyshohet t’i ketë blerë për Iniciativën Qytetare Serbe në Ranillug. Në këtë komunë, më 1 dhjetor, në garën për kryetar fitoi pikërisht kandidati i kësaj iniciative Gradimir Mikiq.
Stamenkoviq-Slavkoviq me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

Mikiq për Gazetën Jeta në Kosovë, e konfirmoi arrestimin e Gordana Stamenkoviq-Slavkoviqit, por nuk foli më gjatë, me arsyetimin se ndodhej në një mbledhje.

Ai mposhti Milan Aritonoviqin e Partisë Popullore Serbe të Kosovës (SNPK), me vetëm 147 vota dallim, sipas rezultateve të balotazhit, të certifikuara nga KQZ-ja.