Komandanti Miladinoviq Mohon se Ishte në Lubeniq

Dushan Languliq, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte shofer i ish-komandantit të Ushtrisë Jugosllave Toplica Miladinoviq, dëshmoi të hënën në Gjykatën Speciale të Beogradit se ai dhe komandanti i tij nuk ishin të pranishëm gjatë sulmit vdekjeprurës serb në fshatin Lubeniq më 1 prill të vitit 1999.

“Më 31 mars shkuam në fshatin Banjë dhe qëndruam aty deri më 1 prill. Flinim në ndërtesën e komunës” i tha Languliq gjykatës.

“Vendosëm të qëndronim aty, pasi ishte erësuar dhe për shkak të rrethanave të veçanta [NATO bombardoi Jugosllavinë në atë kohë], ne nuk udhëtonim gjatë natës”, shpjegoi dëshmitari.

Ai tha se Banja ishte 15 kilometra nga qyteti i Pejës që i bie edhe më larg nga Lubeniqi.

Sipas aktakuzës, Miladinoviq urdhëroi dhe mori pjesë në sulmet mbi katër fshatra afër Pejës, duke përfshirë Lubeniqin,ku humbën jetën të paktën 100 shqiptarë dhe u dëbuan me mijëra të tjerë.

Miladinoviq u deklarua i pafajshëm muajin e kaluar dhe shtoi se nuk kishte qenë në Lubeniq në kohën e sulmit, por në Banjë ku ndodhej për të zgjidhur disa çështje që kishin të bënin me ushtrinë.

Dëshmitari Languliq tha gjithashtu se ai dhe komandanti i tij kurrë nuk e kishin vizituar fshatin Qyshk, ku ndodhi sulmi i dytë më 14 maj të vitit 1999.

Miladinoviq insistoi se kishte qenë në Qyshk vetëm një herë, shumë kohë pas sulmit.

Sipas aktakuzës, Miladinoviq, Sreqko Popoviq, Sllavisha Kastratoviq, Boban Bogiqeviq, Radoslav Brnoviq, Veljko Koricanin, Abdulah Sokiq, Milojko Nikoliq, Sinisha Misiq, Dejan Bullatoviq dhe Ranko Momiq ishin përgjegjës për vrasjet, duke plaçkitur dhe dëbuar një numër të madh të shqiptarëve nga zona përreth qytetit të Pejës mes konfliktit me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ky shkrim është botuar së pari në Balkan Transitional Justice