Ekstradohet nga Shqipëria i Dyshuari për Vjedhje në Bahrejn

Ekrem Gashi, i dyshuar për pjesëmarrje në grupin prej gjashtë personave që mendohet se kanë kryer një plaçkitje të rëndë në Mbretërinë e Bahrejnit, gjatë shtatorit, është ekstraduar nga Shqipëria në Kosovë, të hënën.

Njoftimin për ekstradim e bëri të ditur EULEX-i, nëpërmjet një komunikate.

Për këtë rast, tashmë po mbahen prapa grilave, edhe tre persona të tjerë të arrestuar më 8 tetor.

Këta katër persona, bashkë edhe me dy të tjerë, dyshohet se më 10 shtator, të maskuar me burka-veshje fetare femërore të besimit islam që mbulojnë tërë trupin, kanë thyer një dyqan në Bahrejn, duke rrëmbyer prej tij 79 orë të kushtueshme të markës Rolex.

Plaçkitja ishte e armatosur dhe keqbërësit plagosën edhe një rojë gjatë vjedhjes.

Të katërt dyshohen për detyrim të rëndë, sulm, shkaktim të lëndimeve të rënda trupore dhe për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në një grup të organizuar që ka kryer grabitje të rëndë.

Gashi qe arrestuar më 17 shtator, në bazë të një fletëkërkimi të lëshuar nga Interpoli. Vlera e mallit të plaçkitur llogaritet të jetë 1 milion e 100 mijë euro.

“PSRK-ja dhe Policia e Kosovës janë duke e hetuar këtë rast bashkërisht dhe arsyeja pse ne gjendemi në pikëkalimin kufitar në Vërmicë është për të pranuar të dyshuarin”, tha prokurori ndërkombëtar nga PSRK-ja, Robert Kucharski, në pikën  e kalimit kufitar Kosovë-Shqipëri, vazhdon komunikata e misionit evropian.

Kërkesën për ekstradim të Gashit, autoriteteve shqiptare ua kishte bërë Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).