Mosfunksionimi i OShP-së Lë Pa Përgjigje 160 Ankesa

“Sipas të dhënave që ne i kemi siguruar nga Sekretariati i OSHP-së del se që nga data 1 gusht  deri me datën 19 nëntor 2013, si pasojë që bordi i OSHP-së është jofunksional,  në OSHP kanë mbetur  të pashqyrtuara gjithsej 160 ankesa të parashtruara nga operatorët e ndryshëm ekonomikë”, tha Kenan Tora,  koordinator i Projektit në Lëvizjen Fol.

Tora këtë hulumtim të lëvizjes e bëri të ditur të premten, teksa prezantoi gjetjet e Fol-it për mosfunksionimin e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, në periudhën gusht-nëntor të këtij viti. 

“Vlera monetare e tenderëve për të cilët është deponuar ankesë dhe [operatorët ekonomikë] janë në pritje të shqyrtimit nga ana e OSHP-së e kap vlerën 52 milionë e 292 mijë euro”, vijoi më tutje koordinatori Tora.

OShP-ja është përgjegjëse për shqyrtimin e prokurimeve, ndërsa anëtarët e bordit të këtij organi propozohen dhe dërgohen nga qeveria në Kuvend, i cili emëron ata.

Fol-i në hulumtimin e saj erdhi në përfundim se mosfunksionimi i këtij institucioni një problem madhor që e ka preokupuar dhe dëmtuar sektorin e prokurimit publik në tërësi.

Tora tha se dy anëtarëve të bordit të OShP-së u ka përfunduar mandati më 1 gusht 2012, derisa sipas tij, kryetarit dhe një anëtari tjetër e njëjta gjë u ka ndodhur një vit më vonë.

“Prej kësaj date, OShP-ja ka funksionuar vetëm me një anëtar të Bordit që rrjedhimisht nuk ka qenë në gjendje t’i ushtrojë të gjitha kompetencat dhe t’i kryejë të gjitha përgjegjësitë që i ka me ligj”, tha më tutje Tora.

I vetmi anëtar i Bordit të OShP-së që ka qenë me mandat, Osman Kryeziu me datën 21 nëntor 2013 ka ndërruar jetë dhe rrjedhimisht OShP-ja tani gjendet në situatë ku nuk e ka asnjë anëtar të Bordit me mandat.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi në shtator për nxjerrjen jashtë funksioni të këtij institucioni, duke treguar se organet e prokurimit nëpër institucione, shpenzojnë 700 milionë euro në vit në prokurime, 20 për qind të të cilave kalojnë nëpër OShP, që njihet edhe si gjykatë e tenderëve.

Gazeta raportoi se qeveria nuk po ngutet ta plotësojë këtë bord me anëtarë që do të kishin mandat, ndërsa në të njëjtën kohë kontratat publike me operatorë ekonomikë kanë vazhduar, edhe pse operatorët nuk mund të ushtronin ankesë.

Të njëjtën gjë e përmendi edhe Tora i Fol-it.

Gjatë kësaj periudhe tremujore, kur OSHP-ja është jofunksionale, institucionet e ndryshme, gjegjësisht autoritetet kontraktuese, kanë vazhduar më nënshkrimin e kontratave, pavarësisht që operatorët ekonomikë nuk mund të ushtrojnë të drejtën e tyre ligjore për të bërë ankesa për çështje të caktuara”, tha Tora.

Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës duke i neglizhuar afatet ligjore i ka propozuar emrat e rinj me vonesë.

“Nga ana tjetër,  Kuvendi i Kosovës  njëherë për shkak të pushimeve verore, më pas për shkak të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale dhe më pas për shkak të mos pajtimeve në mes të partive të ndryshme politike për çështje të caktuara,  është bllokuar  për të mbajtur seanca të rregullta dhe rrjedhimisht çështja e emërimit e anëtarëve të rinj të Bordit të OSHP-së, ka mbetur ende pezull”, shtoi ai.

“Ne vlerësojmë kjo situatë e krijuar në OShP mund të ketë për pasojë dëmtimin e rëndë të pagës publike dhe konkurrencës së drejtë mes operatorëve ekonomikë”, shpjegoi Tora.

Sipas tij, duke pasur parasysh që një pjesë e madhe e parasë publike shkon në aktivitete prokurimi publik, vonimi i emërimit të bordit të OShP-së mund të rrisë mundësitë e korrupsionit dhe keqpërdorimit.

Fol-i bëri thirrje që sa më shpejt të kryhet procesi i emërimit të anëtarëve të bordit të OShP-së dhe ky institucion të funksionalizohet.

Në bazë të Ligjit për Prokurim Publik, Bordi i OSHP-së përbëhett nga pesë anëtarë, emrat e të cilëve së pari propozohen nga Qeveria, pastaj Kuvendi i Kosovës themelon një organ përzgjedhës të pavarur të përbërë nga tre gjykatës të emëruar sipas rregullit të caktuar nga Këshilli Gjyqësor  i Kosovës dhe pasi që Kuvendi i pranon rekomandimet nga KGjK-ja, emëron anëtarët e rinj të OSHP-së.