Gruevski Kërkon Presion Ndaj Greqisë

Perspektivat për një zgjidhje të mosmarrëveshjes së gjatë për emrin midis Greqisë dhe Maqedonisë janë më të këqija se kurrë, tha kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, në një intervistë të botuar të mërkurën nëbritaniken Financial Times.

 “Është shumë më keq se përpara”, tha Gruevski, për të shtuar se “situata mund të zhbllokohet nëse Greqisë i bëhet presion nga vende si ShBA-të, Gjermania dhe Franca. Por nëse kjo nuk ndodh, situata nuk mund të ndryshojë”.

Toni i pesimizmit shfaqet përpara një takimi të Këshillit të Evropës këtë muaj, ku  procesi i ngecur i bisedimeve të anëtarësimit Maqedoni-BE do të diskutohet përsëri.

Gruevski tha se të dy palët ecën përpara në çështjen e emrit, kur socialisti George Papandreou, ishte kryeministër i Greqisë prej 2009-ës, deri në 2011-ën.

Por, shtoi Gruevski, prej se konservatori Antonis Samaras ta marrë zyrtarisht detyrën në qershor, gjerat shkuan prapa.

I pyetur se çfarë presioni specifik kërkon ndaj Greqisë, Gruevski tha se Amerika dhe Evropa duhet t’ia rikujtojnë Greqisë, vendimin e  Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2011.

Atë vit, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, deklaroi që Greqia ka thyer marrëveshjen  e Kombeve të Bashkuara, duke bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Athina injoroi vendimin dhe nuk e ndërroi kursin.

 “Po kërkoj respektimin e ligjit ndërkombëtar. Përndryshe, cili është kuptimi i gjykatës dhe ligjit ndërkombëtar?” pyeti Gruevski.

Përkundër rekomandimeve të përsëritura të Komisionit Evropian për fillim të bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë, asj ende nuk i është ofruar një datë e nisjes së tyre, ose një ftesë për hyrje në NATO, për shkak të bllokadës greke në lidhje me mospajtimet rreth emrit.

Greqia këmbëngul se emri i Maqedonisë nënkupton pretendime territoriale për krahinën e saj veriore, gjithashtu të quajtur Maqedoni.

Në këtë intervistë, Gruevski tha se plani “Shkupi 2014”, i financuar nga qeveria e tij për riorganizimin e kryeqytetit, në të cilin janë përfshirë edhe ndërtimi i monumenteve të Aleksandrit të Madh dhe babait të tij Filipit, nuk ka për qëllim ta provokojë Greqinë.

Grekët pohojnë se të dy figurat janë ekskluzivisht helene.

Përpjekja e fundit për të gjetur kompromis rreth emrit për Maqedoninë, ishte në prill, kur ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për këtë çështje, Matthew Nimets sugjeroi propozimin “Maqedonia e Epërme”.

Ky propozim u hodh poshtë nga Greqia, para se Maqedonia të ketë rast të përgjigjet. Greqia insiston që secili emër me të cilin pajtohen palët, duhet të përdoret nga gjithë bota, e jo vetëm mes Maqedonisë e Greqisë.