Kundërshtari i Naser Kelmendit Dënohet me 40 Vjet Burgim

Në rastin që është përshkruar si gjykimi më i madh kundër krimit të organizuar që Bosnja ka parë në dy dekadat e fundit, të enjten gjykata boshnjake e dënoi kryegangsterin Zijad Turkoviq me 40 vjet burgim për udhëheqjen e një grupi të krimit të organizuar që ishte përgjegjës për disa vrasje, kontrabandim të drogës si dhe kryerjen e disa vjedhjeve.

Bashkëpunëtori i tij, Milenko Lakiq, u dënua po ashtu për 40 vjet burgim. Sasa Stjepanoviqit gjykata i shqiptoi 12 vjet burg, Fadil Aljoviqit pesë dhe Muamer Zahitoviq tri.

Grupi u gjet fajtor për pesë vrasje, tri tentim vrasje, kontrabandim të narkotikëve, vjedhje të 1.3 milionë eurove nga banka ABS në Qendrën e Ngarkesës të Aeroportit të Sarajevës, trafikim ilegal të armëve si dhe zhvatje.

Turkoviq është dënuar për krim të organizuar lidhur me vrasje, tentim vrasje, trafikim të narkotikëve, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, zhvatje si dhe shpëlarje të parave.

Lakiq është gjetur fajtor për krim të organizuar si dhe për planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjes.

Stjepanoviq është dënuar për krim të organizuar lidhur me vrasje, shkëmbim të narkotikëve si dhe për vjedhjen nga departamenti i ngarkesave të aeroportit.

“Grupi kriminal më i madhi në Bosnjën e post- Daytonit është dënuar në mënyrë të drejtë me një dënim unik prej gjithsej 100 vjetëve”, tha zëdhënësi i Prokurorisë Boris Grubesiq.

Në shpjegimin e aktgjykimit, gjykata tha se grupi kishte vrarë Mid’hat Mekiqin, partneren e tij shtatëzënë Lucia Sala Cortes, Mario Toliqin, Verner Ajdarin dhe Rajko Milovanoviqin.

Pesë vrasjet u gjasonin masakrave që shihen nëpër filma, ku disa prej trupave ishin gjetur të varur në mure, kurse disa të tjerë ishin hedhur nëpër male.

Grupi po ashtu ishte gjetur fajtor për tentim vrasjen e Anes Kurbegoviqit – ata kishin hedhur një granatë në banesën e saj, si dhe për tentim vrasjen e Naser Kelmendit dhe djalit të tij Elvisit.

Turkoviq pranoi se kishte marrë para për të ekzekutuar vrasjet. Sa i përket Naser Kelmendit, Turkoviq ka pohuar gjatë gjykimit se kishte pranuar ta bënte një gjë të tilë, por që sipas tij asnjëherë nuk e kishte pasur ndërmend ta bënte.

Naser Kelmendi që në këtë proces gjyqësor ka dëshmuar në anën e prokurorisë, ka thënë se Turkoviq kishte gjuajtur në të”.

Gjashtë persona të tjerë të lidhur me këtë grup, pranuan fajësinë dhe bënë marrëveshje me gjykatën për dënime që ndryshonin prej një deri në pesë vjet burgim.

Në fjalën e tij përfundimtare muajin e kaluar, Turkoviq kishte thënë se procesi kundër tij ishte i montuar. Ai tha se akuzat për vrasje i janë ngjitur emrit të tij, në vend të Naser Kelmendit, një gangster tjetër ballkanas, i cili sipas Turkoviqit kishte paguar që akuzat t’i drejtohen Turkoviqit.

Naser Kelmendi dhe djali i tij Elvisi po gjykohen në Kosovë për krim të organizuar. Ekstradimi i tyre në Bosnjë ka qenë i pamundur, meqë Bosnja nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur dhe rrjedhimisht nuk kanë marrëveshje ekstradimi mes vete.

Turkoviq e akuzoi prokurorin, Oleg Cavka, për pjesëmarrjen në procesin sipas tij të montuar,  duke thënë se ai ka pranuar ryshfet prej 30.000 eurosh.

Ministri për Siguri i Bosnjës, Fahrduin Radonqiq, e lavdëroi aktgjykimin duke thënë se shpreson që edhe rastet tjera të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit  të përfundonin në mënyrë të ngjashme – me dënime të ashpra.

Fahrija Karkin, avkotja e Turkoviqit tha të enjten se prokurori kantonal i Sarajevës ka filluar një hetim këtë javë për akuzat e Turkoviqit ndaj Cavkes.

Karkin tha se do ta përdorë këtë si argument në ankesën kundër aktgjykimit prej 40 vjetësh të klientit të tij.

Ai tha se Cavka është i vetmi që ka pyetur Isljam Kalenderin, dëshmitarin e mbrojtur që është liruar nga burgu dhe nga i cili akuzohet se mori miton.