Përurohet Autostrada “Ibrahim Rugova” (TV)

Nën reshje të mëdha të borës, përurimi u mbajt në fshatin Mazgit, rreth 10 kilometra larg Prishtinës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se Kosova duhet të mburret më këtë projekt, pasi që mban emrin e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Me forca vetanake jemi të aftë të bëjmë vepra të mëdha, që lehtësojnë komunikimin dhe që nxisin bashkëpunimin, që ndërlidhin vendet, që u mundësojnë lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave”, theksoi presidentja Jahjaga.

Kryeministri Thaçi tha se në fillim të këtij projekti ka pasur kritika dhe presione për fillimin e ndërtimit të autostradës dhe shtoi se plani i qeverisë për zhvillim ka fituar mbi politikat ditore.

“Sot unë jam krenar që po përurojmë këtë projekt të suksesshëm, të realizuar para afatit, me një cilësi që ka bërë që ky projekt të marrë edhe çmime të rëndësishme ndërkombëtare”, tha kryeministri Thaçi.

Autostrada e Kosovës “Ibrahim Rugova”, për qarkullim do të hapet më 27 nëntor në orën 7 të mëngjesit.

Konzorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka” punoi për tri vjet e gjysmë, duke shtruar asfalt deri në afërsi të Prishtinës.

Mbetet ende e paqartë se në cilën pikë kufitare do të vazhdojë autostradën Qeveria e Kosovës për t’u lidhur me kufirin serb, ndonëse më herët ishte planifikuar të shkojë në drejtim të Merdares.

Gjerësia e autostradës është 28 metra. Ajo ka katër shirita qarkullues nga 3.75 metra, 2 shirita për ngadalësim me nga 3 metra, si dhe brezin e gjelbër mes shiritave të kahjes së kundërt.

Shpejtësia e projektuar përgjatë gjithë gjatësisë së autostradës është 120 km në orë, ndërsa aty ku karakteristikat e lejes mjedisore lejojnë, është gjithashtu e mundshme të zhvillohet një shpejtësi prej 140 kilometrash në orë.

Qeveria e Kosovës ka në plan të fillojë vitin e ardhshëm autostradën tjetër që lidh Prishtinën me Shkupin.

Ministria e Infrastrukturës ka parakualifikuar dy kompani për këtë projekt, konzorciumi “Bechtel-Enka” dhe konzorciumi Italiano –Turk, “CMC-Dogos”.