Maqedonia Dënon Prindërit që Sillen Keq me Fëmijët

Në një përpjekje për t’i mbajtur fëmijët të sigurt Maqedonia është e vendosur t’i dënojë me burg prindërit që lënë pas dore, ose keqtrajtojnë fëmijët e tyre. Shkalla e dënimeve do të jetë nga 1 deri në 10 vjet.

Qeveria propozoi ndryshime të Kodit penal dhe Ligjit për Familjen që u prezantuan parlamentit të hënën, ndërsa është pothuajse e sigurt se do të miratohen.

“Për neglizhencën ose ofendimin e fëmijës, shkalla e dënimeve sillet nga 1 deri 10 vjet. Nëse fëmijës i jepen droga, ose substanca psikotropike gjatë veprës penale, dënimi minimal do të jetë 8 vjet”, tha ministri i Çështjeve Sociale Dime Spasov, në një konferencë për gazetarë.

Deri tash krejt ajo që autoritetet bënin në rastin e keqtrajtimit të fëmijëve, ishte largimi i tyre nga prindërit. Kjo ka ndodhur 23 herë gjatë këtij viti.

Sipas shënimeve të Ministrisë së Çështjeve Sociale, më shumë se 1 mijë fëmijë detyrohen të kërkojnë lëmoshë në Maqedoni, çdo ditë.

Ata zakonisht kërkojnë para në vende publike shumë të frekuentuara, ose skaj rrugëve, shpesh duke iu nënshtruar kushteve ekstreme të motit të nxehtë, a të ftohtë.

Ndryshimet e ligjit gjithashtu parashikojnë dënime të reja për punëtorët socialë, ose institucionet tjera që neglizhojnë fëmijët, duke mos ndërmarrë veprime të shpejta për parandalimin e abuzimit.

Dënimet për punëtorët socialë do të jenë prej 1 mijë deri në 5 mijë euro, varësisht nga përvoja dhe përgjegjësia e tyre. Kjo shumë është mjaft e madhe duke marrë parasysh se paga mesatare e përmuajshme në Maqedoni, mezi kalon 300 eurot.