Pallati i “Vonuar” (TV)

Pallati i Drejtësisë ka filluar të ndërtohet më 3 qershor të vitit 2011, ndërsa parashihej të përfundohej brenda një periudhe 24 mujore, gjegjësisht përgjatë vitit 2013.

Megjithatë, deri më tani ka përfunduar vetëm një pjesë e punimeve.

“Deri më tani vetëm 60% e punimeve janë përfunduar, Zyra e BE-së në Kosovë ka lajmëruar se punimet përfundimisht pritet të mbarojnë në qershor/korrik të 2014-ës”, thotë  Zeqir Bekolli nga Zyra për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Administratës Publike.

Projekti parasheh që në pallat të vendosën të gjitha gjykatat dhe prokuroritë që veprojnë në qytetin e Prishtinës.

Projekti më herët parashihej të ndërtohej bazuar në ligjin e vjetër për gjyqësor.

Atëkohë rregullimi i brendshëm i gjykatave dallonte nga ai aktual, që hyri në fuqi në vitin 2013.

Sipas legjislacionit të vjetër gjyqësor, në Pallatin e Drejtësisë parashihej të vendoseshin Gjykata Kushtetuese, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Gjykata Supreme , Gjykata Ekonomike, Gjykata e Lartë për Kundërvajtje, Gjykata e Qarkut e Prishtinës, Gjykata Komunale e Prishtinës, Gjykata për Kundërvajtje e Prishtinës, Prokuroria Speciale, Prokuroria e Shtetit, Prokuroria e Qarkut e Prishtinës, Prokuroria Komunale e Prishtinës dhe Institucionet ndërlidhëse.

Të gjitha duhej të funksionin në pesë objekte të ndara, brenda pallatit të drejtësisë.

Gjykata e apelit dhe themelorja ndryshojnë dizajnin e objektit

Ndërsa ndryshimet në gjyqësor, prej janarit të vitit 2013 krijuan Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Themelore, në të cilën futën gjykatën për kundërvajtje, gjykatën komunale dhe atë qarkut, të organizuara në shumë departamente.

Dy prej pesë objekteve, A dhe B, janë zgjeruar pikërisht për shkak të nevojave të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore me departamentet e saj.

Secili prej objekteve është zgjeruar për një hapësirë prej 1 mijë metrash katrorë.

“Është fakt që fillimisht projekti i ndërtimit të Pallatit të Drejtësisë është paraparë me ligjin-organizmin e vjetër të sistemit gjyqësor, por ndërkohë me aprovimin e Ligjit për Gjykata në vitin 2010 dhe duke marrë parasysh nevojat e gjyqësorit, sidomos të organeve të judikaturës të territorit të Prishtinës, sipas ligjit të ri, ne kemi bërë një kërkesë formale Komisionit Europian që të ndërhyjë në projekt dhe të bëjë përmirësime dhe t’ia përshtatë organizimit të ri të gjykatave.”- tha kryesuesi i KGJK-së, Enver Peci.

Gazeta Jeta në Kosovë ka insistuar të dijë pse nuk është bërë reagim i menjëhershëm nga KGJK-ja në fazat fillestare të projektit, në momentin kur është parë që organizimi i objektit është bërë sipas legjislacionit të vjetër.

Lidhur me këtë Peci tha se nuk mund të deklarohet, sepse në atë kohë struktura e kryesisë së KGJK-së ka qenë e përbërë prej njerëzve tjerë.

Ish drejtori i Sekretariatit të KGJK-së Halit Muharremi, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se kishin njoftuar zyrat e BE-së për t’u bërë me dije se po punohej ligji i ri për gjykatat.

Mirëpo sipas tij “Nuk ka pasur nevojë për kapacitete shtesë, pavarësisht prej riorganizimit”.

Muhamet Kurtishaj, i cili në atë kohë ishte drejtor i logjistikës në KGjK tha se nuk ka pasur kërkesa me shkrim në drejtim të Zyrës së BE-së në lidhje me këtë.

“Është diskutuar se do të ketë ligj të ri, mirëpo ligji ka qenë në diskutim dhe për këtë arsye është punu me legjislacionin ekzistues”.

Zyra për media e BE-së në Prishtinë ende nuk ka dhënë përgjigje në kërkesen për intervistë të Gazetës Jeta në Kosove dhe ende nuk ka sqaruar detajet e projektit.

Kryesuesi i tanishëm i KGJK-së, Enver Peci, tha se ndërhyrja e KGJK-së është bërë në vitin 2011 në fazën e hershme të ndërtimeve, andaj edhe sipas tij nuk ka mundur të ndikojë në zvarritjen e projektit.

I ndërtuar në një tokë prej 2.5 hektarësh, një kompleks gjigant prej 5 ndërtesave, Pallati i Drejtësisë në strukturën e vet duhet të përfshijë: Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Supreme, Gjykatën Themelore të Prishtinës, Gjykatën e Apelit, Prokurorinë e Shtetit dhe atë Speciale, Prokurorinë e Apelit dhe atë Themelore të Prishtinës.

Në bazë të ri-dizajnimit është planifikuar që në ndërtesën A të vendosen” KGjK-ja, Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit, kurse në ndërtesën B Gjykata Themelore e Prishtinës.

Rrjedhimisht në këto dy ndërtesa do të transferohen organet që kanë pësuar ndryshime më të mëdha si rezultat ristrukturimit të gjykatave. Risi në këtë drejtim është Gjykata e Apelit, e cila u krijua në fillim të 2013, si dhe zgjerimi i instancës së parë- Gjykatës Themelore të ndarë në departamente.

Ndërtesa C është planifikuar për KPK-në (Këshillin Prokurorial të Kosovës) dhe të gjitha Prokuroritë e Prishtinës, ndërtesa D është ndërtuar enkas për salla gjyqësore, respektivisht do të përfshijë 28 salla dhe në ndërtesën E do të akomodohet Gjykata Kushtetuese.

Ndërtimi i kompleksit në fjalë është produkt i një projekti të përbashkët të BE-së dhe Qeverisë së Kosovës, me një vlerë prej 27 milionë eurosh, shumë kjo e cila është investuar 80% prej BE-së.

Edhe pse fillimisht kompetenca mbi menaxhimin e këtij projekti nga ana e Qeverisë kishte Ministria e Drejtësisë, ministri Hajredin Kuçi, informoi Gazetën Jeta në Kosovë se këto kompetenca i janë bartur Ministrisë së Administratës Publike.

MAP-i menaxhon me të gjitha ndërtesat shtetërore.
Po ashtu në web-faqen e Ministrisë së Drejtësisë, ku është shpalosur struktura e objektit, figuron se aty zyrën  e tyre ndërlidhëse (përfaqësuese) do ta kenë edhe institucionet mbështetëse të drejtësisë si: Shërbimi Sprovues, Ndihma Juridike, Instituti Gjyqësor, Mbrojtja e Viktimave dhe Oda e Avokatëve. 

Efektet e pallatit të ndërtuar larg qendrës

Punimet po i kryen konzorciumi i përbërë nga kompanitë  GBS e Hidroterm.

Zyra e BE-së në Prishtinë në një përgjigje sqaruese, pa komentuar detajet, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë, se projekti ka për qëllim ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, i cili do të siguronte hapësira adekuate për dhjetëra institucione të drejtësisë dhe do të ndihmonte përmirësimin e shërbimeve të tyre.

Sipas zyrës së BE-së, sapo të ndërtohet Pallati i Drejtësisë, institucionet e drejtësisë së Kosovës do të jenë në gjendje të rialokojnë fondet, të cilat tani po shpenzohen për qiratë e një numri objektesh, për aktivitete të tjera të cilat janë esenciale për funksionimin e mirë të sistemit të drejtësisë.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, e cilësoi si problematik akumulimin e të gjitha organeve të drejtësisë në një vend, meqë afërsia fizike në mes të organeve të caktuara gjyqësore mund të krijojë hapësirë për keqpërdorime të detyrave zyrtare nga zyrtarët e gjykatave.

Në anën tjetër, zyrtarë të KGjK-së e shohin pozitivisht grumbullimin e institucioneve të drejtësisë në një objekt të  vetëm, në kompleksin e Pallatit të Drejtësisë. “Komunikimi brenda një institucioni do të jetë më i mirë, p.sh Gjykata Themelore e Prishtinës, aktualisht është vendosur në 3 objekte dhe komunikimi është problematik, kurse me vendosjen në objektin e ri, kjo do të eliminohet. “ deklaroi Muhamet Kurtishaj, drejtor i ligjistikës në departamentin e KGJK-së.

Sipas tij, grumbullimi i të gjitha këtyre institucioneve në një ndërtesë të vetme, do të ngrejë efektivitetin e punës .

Një shqetësim tjetër rrjedh nga lokacioni në të cilin është ndërtuar objekti, i cili njëkohësisht ndodhet 4 kilometra larg qendrës së qytetit.

“Aktualisht lokacioni ku është vendosur Pallati i Drejtësisë është larg qendrës dhe duke pasur parasysh faktin se shumica e avokatëve kanë zyrat e tyre në qendër, do të kenë problem fillimisht për shkak të mungesës së infrastrukturës që mungon në pallat”, deklaroi Ibrahim Dobruna, kryetar i Odës së Avokatëve.