Sondazhi Zbulon Preferencat Maqedonase Për President

Edhe pse të dy blloqet e partive kryesore po qëndrojnë të heshtur se kush do të garojë në zgjedhjet presidenciale të 2014-ës, por mediat maqedonase kanë qenë të zëna me përpilimin e listave nga pretendentët më të mundshëm.

Gjorge Ivanov, presidenti i tanishëm, i cili fitoi mandatin e tij të parë në vitin 2009 me mbështetjen e partisë kryesore qeverisëse VMRO DPMNE, doli në krye të një sondazhi të kohëve të fundit, thotë gazeta Utrinski Vesnik.

Sipas një sondazhi të porositur nga Social-Demokratët e opozitës, gazeta thotë se Ivanov u vlerësua pozitivisht më shumë se çdo kandidat tjetër i mundshëm nga ana e partisë në pushtet.

Ivanov nuk ka thënë se ai do të kandidojë në marsin e ardhshëm. Një gjë të tillë nuk e ka bërë as rivali i tij i mundshëm, Srgjan Kerim, një diplomat i kalitur dhe një ish-president i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Sipas anketës, edhe pse opozita nuk pranoi të konfirmojë, Stevo Pendarovski, ish-këshilltar për presidentët maqedonas Boris Trajkovski dhe Branko Cërvenkovski, kryeson listën e kandidatëve të mundshëm të opozitës.

Pendarovski është duke udhëhequr para Denko Maleskit, një diplomat me përvojë dhe i afërt me opozitën, i cili ishte edhe ministri i parë i jashtëm i Maqedonisë pas pavarësimit në vitet 1990.

Sipas së përditshmes Utrinski Vesnik, ish-guvernator i Bankës Qendrore Petar Goshev, si dhe Zoran Stavreski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave, sipas anketës morën  vlerësim më të ulët.

Megjithatë, një deklaratë e kohëve të fundit nga partia shqiptare në koalicionin qeverisës, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, hedh dyshime se do ta përkrahë Ivanovin.

Në fillim të këtij  muaji, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se partia e tij ndoshta nuk do të mbështesë presidentin në detyrë, nëse ai garon përsëri.

“Ne nuk kemi parë asgjë të keqe prej tij, por nuk kishte asgjë pozitive, tha Ahmeti.

Shefi i BDI-së tha se partia e tij do të preferonte një kandidat konsensual, i cili do të ishte i pranueshëm si prej maqedonasve, ashtu edhe nga shqiptarët të cilët përbëjnë një të katërtën e popullsisë.

Në balotazhin presidencial të vitit 2009, Ivanov shënoi një fitore bindëse ndaj rivalit të tij të opozitës, Ljubomir Fërçkovski, pasi që kishte mbështetjen e BDI-së.