Bizneset Kosovare Paguajnë Ryshfetin Më të Lartë në Rajon

“Përhapja mesatare e ryshfetit te bizneset në Kosovë është 3.2 për qind, që do të thotë se afërsisht tri në njëqind biznese në pesë sektorë ekonomikë të anketuar, të cilët kanë pasur kontakt me një zyrtar publik, gjatë 12 muajve përpara anketës, i kanë paguar ryshfet një zyrtari publik”, thuhet në raportin e publikuar nga Zyra për Narkotikë dhe Krime e Kombeve të Bashkuara (UNODC) në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës.

Duke prezantuar gjetjet e raportit para mediave, Michael Jandl, zyrtar për hulumtime në UNODC tha se “kjo është më pak se mesatarja rajonale prej 10.2 për qind”.

Sidoqoftë, “frekuenca e ryshfetit në Kosovë doli të jetë 7.7 për qind, meqë aq ryshfete janë paguar nga bizneset që japin ryshfet. Kjo do të thotë se në çdo shtatë javë bizneset kanë dhënë ryshfet dhe kjo është më shumë se sa mesatarja në rajon prej 7.1 përqindësh”, sqaroi ai.

Studimi rajonal është kryer në shtatë shtete të rajonit dhe përfshin 12, 000 biznese, ndërsa mostra për Kosovën përfshin 2,000 biznese nga pesë sektorët ekonomikë që përbëjnë 79.7 për qind të të gjitha bizneseve në vend.

Sipas raportit, shumica e ryshfeteve paguhen me para në dorë nga bizneset.

“Sasia mesatare e paguar për ryshfet në të gjithë sektorët ekonomikë është 844 euro [në muaj]. Shifër kjo, që arrin në më shumë se dyfishin e pagës neto mesatare mujore në Kosovë (229 euro)”, thuhet në raport.

“Duke i marrë parasysh dallimet në nivelet e çmimeve në Evropë, në Kosovë shuma mesatare e paguar e ryshfetit në euro korrespondon me 1, 787 EUR-PFB [Pariteti i Fuqisë Blerëse- që përdoret për t’i bërë shumat e anketuara, në valuta kombëtare të krahasueshme në nivel ndërkombëtar]., ndërsa shuma mesatare e paguar për ryshfet në rajonin e Ballkanit Perëndimor prej 881 EUR-PFB si një e tërë është ndjeshëm më e ulët”, theksohet në raport.

“Sasia mesatare e ryshfetit në Kosovë është më e larta në krahasim me shtatë vendet e rajonit të përfshira në studim”, shpjegoi Jandl.

Aktorët kryesorë për luftimin e korrupsionit në Kosovë janë Agjencia Anti-Korrupsion, Task-Forca qeveritare Kundër Korrupsionit, misioni i BE-së për forcimin e sundimit të ligjit dhe Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Por, Melvin Asin, zëvendësdrejtor për bashkëpunim në zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë tha: “Bashkëpunimi dhe koordinimi i limituar i aktorëve të ndryshëm që janë përgjegjës për gjetjen, hulumtimin dhe ndjekjen e korrupsionit dhe mungesa e një qasjeje më pro-aktive në hulumtimin e korrupsionit, duket se janë pengesat kryesore për një efikasitet më të lartë dhe janë arsyeja për një numër të ulët të dënimeve në këtë fushë”.

Ndërkohë, në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, krimi i organizuar dhe korrupsioni u cilësuan si çështjet më shqetësuese në rrugën e integrimit evropian të vendit.