Afër 900 Mijë Kosovarë në Diasporë

Kosova ka rreth 874 mijë njerëz në diasporë, sipas raportit të UNDP-së, ndërsa një shifër e tillë nuk përputhet me atë të nxjerrë nga regjistrimi i popullsisë në vitin  2012, ku numri i qytetarëve kosovarë që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit është më shumë se përgjysmë më i vogël dhe  rrumbullakohet në 383 mijë.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) është në fazën e përgatitjes së Raportit të Tetë për Zhvillim Njerëzor në Kosovë për Vitin 2014, ndërsa ka mbajtur një tryezë të rrumbullakët të mërkurën, për të diskutuar kapitullin e pestë të këtij raporti. Atë që flet për ecuritë demografike, migracionin dhe diasporën kosovare.

“Madhësia e diasporës sipas censusit-it është më e vogël për shkak të metodologjisë së përdorur dhe kështu nuk mund të pasqyrojë shifrat reale”, tha Besnik Krasniqi nga UNDP-ja.

“Është e pamundur që të regjistrohen të gjithë qytetarët që jetojnë në diasporë, pasi shumë prej familjeve nuk kanë të afërm në Kosovë, kështu që askush nuk ka mundur të plotësojë formularin gjatë regjistrimit të popullsisë”, shtoi ai.

Avni Kastrati zëvendësdrejtor i Zyrës për Regjistrimin e Popullsisë pranoi se Censusi i 2012-ës ka mungesa për sa i përket regjistrimit të diasporës.

“Kemi mungesa të të dhënave për Diasporën, më saktë akoma nuk kemi një përcaktim të qartë se çfarë përkufizojmë me diasporë”, tha Kastrati.

Gjatë kësaj tryeze është diskutuar edhe mënyra se si ka evoluar diaspora kosovare .

Sipas këtij raporti, migracioni në periudha të ndryshme ka pasur karakteristika socio-demografike të ndryshme.

“Vala e parë para vitit 1989 ka qenë migrim i orientuar kryesisht drejt Europës Perëndimore për arsye punësimi, vala e dytë e migrimit, ajo gjatë viteve 1989-1997 e shkaktuar nga gjendja e rëndë e okupimit”, thotë raporti i UNDP-së.

Sipas raportit, në këtë kohë shumë njerëz kanë migruar për arsye politike, ndërsa vala e tretë pas vitit 1999 ka ndodhur kryesisht për bashkime familjare me pjesën që tashmë jetonte jashtë, si dhe nga njerëz të papërgatitur për tregun e punës në vend dhe që si mundësi të vetme e panë migrimin.

Shikuar në përgjithësi, raporti për migrimin thotë se 48.8 për qind të kosovarëve kanë migruar për bashkim familjar, 37.9 për qind për të kërkuar mundësi punësimi, 8.1 për qind si pasojë e luftës, ndërsa 4 për qind për arsye tjera.
 
“Gjasat më të mëdha që të kthehen, i kanë ata që kanë zhvilluar aftësi për një profesion, që janë të shkathët në tregun e punës, e gjithashtu edhe individët që kanë të ardhura më të larta”, tha Besnik Krasniqi, përgjegjës për kapitullin e pestë që flet për ecuritë demografike, migracionin dhe diasporën kosovare.

Megjithatë, raporti nuk ka sjellë një shifër të atyre që tashmë janë kthyer nga diaspora për të jetuar në Kosovë.