Shkarkimi i të Politizuarve të KPM-së Në Kryesinë e Kuvendit

Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në mbledhjen e së mërkures, me më shumë së gjysmën e votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje,  i propozuan Kryesisë së Kuvendit që të iniciojë shkarkimin e kryetarit të KPM-së Shefki Ukës dhe të dy anëtarëve të tjerë.

Për dërgimin e shkarkimit të këtyre tre personave, votuan katër nga tetë anëtarët e komisionit, ndërsa dy ishin kundër.

Zëvendëskryetari i parë i Komisionit për arsim Eqrem Kryeziu dhe anëtari i këtij komisioni, Sadri Ferati, të dy nga LDK-ja, thanë se po votojnë kundër inicimit të procedurave për shkarkimin e Shefki Ukës, ngase mbledhja ishte paralajmëruar të mbahej për të shqyrtuar politizimin e dy anëtarëve të tjerë, Vesna Jovanoviqit dhe Nevzat Hydaverdit.

Por anëtarët e komisionit, gjatë mbledhjes, të mërkurën, vendosën të diskutohet edhe për kreun e Komisionit të Pavarur për Media, Shefki Ukën.

“Në qoftë se shkojmë në shkarkim, unë kërkoj që  të shkojmë në pako, sepse edhe zoti Uka kur është kandiduar për KPM dhe kur është pranuar, ka shkelë nenet 1.3 dhe 1.4  të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe ne si komision nuk kemi bërë asgjë”, tha Enis Kervan deputet nga grupi 6+ dhe zëvendëskryetar i dytë i këtij komisioni parlamentar.

Edhe Xhevahire Izmaku deputete nga PDK-ja dhe anëtare e komisionit, kërkoi shkarkimin e Shefki Ukës së bashku me Vesna Jovanoviqin dhe Nevzat Hydaverdin.

“Unë kërkoj që të iniciohet shkarkimi i Shefki Ukës së bashku me Vesna Jovanoviqin dhe Nevzat Hydaverdin, sepse zotëri  Ukaj në momentin që është zgjedhur ka qenë asambleist komunal i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës dhe kjo bjen ndesh me nenin 1.3 dhe 1.4”, tha Izmaku.

Neni 1.3 i Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave thotë  “se nuk mund të jenë anëtarë të KPM-së  personat që mbajnë post publik të zgjedhur dhe të emëruar, ose personat të cilët kanë qenë në pozita gjatë dy vjetëve të fundit, kurse neni 1.4 ndalon bërjen pjesë të KPM-së për anëtarin e organit udhëheqës të një partie politike, ose personat të cilët kanë qenë në këto pozita gjatë dy vjetëve të fundit”.

Nevzat Hydaverdi  është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si kandidat për asamblenë komunale të Prishtinës përmes partisë turke, Kosova Turk Birligi, Kurse anëtarja tjetër e KPM-së, Vesna Jovanoviq, po ashtu është gjetur duke kryer aktivitete politike në emër të Iniciativës Qytetare Serbe për Partesh.

Nga ana tjetër, Milivoje Stovanoviq nga grupi parlamentar Ardhmëria e Përbashkët, tha se Kuvendi i Kosovës para se të shkarkojë Vesna Jovanoviqin nga posti i anëtares së KPM-së, duhet të mbledhë informata të sakta se a ka qenë kjo e përfshirë në aktivitete politike.

” Ne nuk kemi ndonjë argument që mund të bazohemi se Vesna Jovanoviq është përfshirë në aktivitete politike, pro Iniciativës Qytetare Sërbe për Parteshin”, tha Stojanoviq.

Njoftimin se Vesna Jovanoviq është përfshirë në aktivitete politike e ka bërë Sasha Milosavljeviq nga grupi parlamentar i SLS-së, dhe kjo për mua nuk është një fakt shumë bindës, shtoi  Stojanoviq.

Gazeta Jeta në Kosovë gjatë shtatorit siguroi një audio ku Vesna Jovanoviq paraqitej si zëdhenëse e Iniciativës Serbe për Parteshin dhe në të njëjtën kohë publikoi edhe një komunikim elektronik të saj, në të cilën ajo nënshkruhej në të njëjtën cilësi.

Pasi çështja e shkarkimit të shkojë në Kryesinë e Kuvendit, kjo kryesi e fut në rend të ditës të mbledhjeve të ardhshme të parlamentit, diskutimin për shkarkimin. Shkarkimi bëhet pastaj nga Kuvendi i Kosovës.

Edhe emërimin e anëtarëve të KPM-së e bën Kuvendi. Neni 11, pika 1 e Ligjit për KPM-në thotë se “anëtarët e KPM-së emërohen nga Kuvendi i Kosovës, në bazë të procedurave të hapura e transparente”.