Mediat e Beogradit Ftohen T’i Japin Fund Gjuhës së Urrejtjes

Nexhat Behluli, kryeredaktor i Radio Televizionit Spektri nga Bujanoci, u bëri thirrje të hënën gazetarëve të Beogradit të mos “pengojnë  rrugën drejt shërimit të plagëve, tashmë të trazuara të së shkuarës”, në zonën ku jeton një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve vendas.

Letra e tij e hapur dërguar shoqatës së gazetarëve serbë erdhi disa ditë pasi mediat raportuan se një polic i cili u vra më 21 tetor nga një sulmues i panjohur në afërsi të fshatit Trnoc i Madh, afër Bujanocit ishte vrarë nga një shqiptar vendas.

“Gazetat dhe stacionet televizive me bazë në Beograd, me shkrimet e tyre për jugun e Serbisë, kanë vendosur këtë ngjarje në kontekstin e marrëdhënieve serbo-shqiptare dhe pa ndonjë [mbështetje] argument, kanë akuzuar jo vetëm një shqiptar, por një fshat të tërë dhe një komb të tërë për vdekjen e një oficeri të policisë”, tha Behluli në letër.

“Mediat kanë shkruar në lidhje me këtë ngjarje tragjike, sikur të ishte një vrasje e një serbi nga një shqiptar, të gjithë fshatarët e Trnocit të Madh janë shpallur narko-bosë, [që jetojnë në një vend], ku nuk mund të hyjë as policia”, shtoi ai.

Rajoni në jug të Serbisë është perceptuar gjithnjë si rajon i trazuar nga autoritetet e Beogradit, për shkak të lidhjeve të ngushta me Kosovën .

Në një referendum lokal në vitin 1992, shumica dërrmuese e shqiptarëve etnikë votuan për autonomi territoriale dhe mundësi për t’u bashkuar me Kosovën, edhe pse votimi nuk ishte njohur nga ana e Beogradit, ose komunitetit ndërkombëtar.

Regjimi në atë kohë, i udhëhequr nga Sllobodan Millosheviq, zhvilloi politikën e represionit ndaj pakicave etnike, veçanërisht ndaj shqiptarëve, i cili arriti kulmin në luftën e Kosovës në fund të viteve 1990.

Në letrën e tij, Behluli kujton kohën kur mediat përdoreshin si mjete të propagandës politike.

“Me keqardhje dhe ankth po e vërejmë se gjuha e urrejtjes, e cila është përdorur gjatë viteve 1990, është kthyer sërish në diskursin mediatik”, tha ai.

Roli i medias gjatë luftërave të viteve 1990 në Ballkan ka qenë i hetuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi (ICTY) dhe nga Prokuroria Serbe për Krime Lufte.

ICTY-ja akuzoi Millosheviqin për përdorimin e mediave për propagandën e shtetit, ndërsa prokuroria serbe ende është duke hetuar disa gazetarë të cilët punonin për transmetuesin publik RTS dhe gazetat e përditshme Politika dhe Vecernje Novosti.

Në nëntor të vitit 2011, prokuroria botoi një libër me titull “Fjalët dhe keqbërjet”, e cila prezantoi rezultatet e hetimit që po vazhdon, e në të cilin thuhej se ende nuk kishte prova të mjaftueshme për të ngritur akuza.

Ky hetim ishte i pari i këtij lloji iniciuar nga ana e prokurorëve të krimeve të luftës në rajonin e ish – Jugosllavisë që hetoi rolin e mediave gjatë luftës.