Kryeministri Cameron u Shpëton Përgjimeve Amerikane

Kancelarja gjermane Angela Merkel mbërriti në Samitin e BE-së të nisur të enjten në Bruksel me një makinë që ka targat 007, duke ironizuar situatën e krijuar mbi përgjimet e shumëpërfolura të telefonatave të liderëve të Europës, nga NSA.

Ndërkohë gazeta britanike The Guardian shkruan se 35 liderë botërorë mendohet të jenë përgjuar rregullisht nga  Agjencia e Sigurisë Amerikane NSA.

Kjo agjenci, sipas disa dokumenteve të bëra publike nga Eduard Snowden  ka filluar survejimin e telefonatave, pasi kishte siguruar numrat nga një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit .

Përderisa reagimet e liderëve evropianë kanë qenë të shumta, duket se kryeministri britanik David Cameron është lënë jashtë kësaj liste të të përgjuarve.

Gavin Hewitt, redaktor i BBC-së sjell në vëmendje se ndërkohë që Franca dhe Gjermania po kërkojnë një pakt të mos-spiunimit, ekziston një operacion sekret i shërbimeve informative midis Britanisë, Australisë, Zelandës së Re, Kanadasë dhe Amerikës, të emëruar “Five Stars” (Pesë Yjet).

Një marrëveshje kjo për shkëmbimin e informacionit, e arritur midis pesë shteteve, pas Luftës së Dytë Botërore.

Herman Van Rompuy, Presidenti i radhës i BE-së, pranoi se Mbretëria e Bashkuar ka “një marrëdhënie të veçantë“, me SHBA-të.

Kryeministri i Anglisë David Cameron akoma nuk ka komentuar këtë çështje.

I pyetur nga korrespondenti politik i ITV NEWS, Libby Weiner, nëse Cameron ndihet i sigurt të përdorë të njëjtin telefon, zëdhënësi i tij u përgjigj: “Po, e kam parë të përdorë të njëjtin telefon”.

Gjithashtu edhe Caitlin Hayden, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Amerikane, i tha gazetës britanike Daily Telegraph se kryeministri i Britanisë nuk është përgjuar nga Amerika.

“Ne nuk e monitorojmë komunikimin e kryeministrit Cameron”, tha ajo.

E pyetur nëse Amerika ka përgjuar ndonjëherë në të shkuarën, ajo u përgjigj shkurt: “Jo”.

Si u zhvilluan ngjarjet e përgjimeve

The Guardian shkruan se regjistrimet konfidenciale tregojnë se NSA-ja i ka inkurajuar zyrtarët nëpër departamente që kanë kontakt me “klientë” të shpërndajnë  “Rolodex-at” e tyre, duke bërë të mundur kështu që agjencia të sigurojë numrat e politikanëve kryesorë të huaj.

Rolodex është një notes ku fletët janë të lidhura në një bosht dhe sillen rrotull 360 shkallë e që përdoret për të shënuar numra telefonash dhe informacione tjera të kontakteve.

Përveç reagimeve tashmë të njohura të presidentit të Francës Fransua Hollande dhe kërkesës për shpjegime të plota nga kancelarja gjermane Angela Merkel, kanë reaguar edhe shumë liderë tjerë evropianë.

“Ne nuk mund ta pranojmë këtë përgjim sistematik, çfarëdoqoftë ai“, tha kryeministri i Belgjikës Elio Di Rupo.

Ndërsa, kryeministri i Finlandës Jyri Katainen ka kërkuar sqarime për këtë që ka ndodhur,“si dhe siguri që nuk do të ndodhë në të ardhmen, gjithmonë nëse ka ndodhur”, tha ai.

Kryeministri gjerman Mark Rutte ka thënë se çështja është serioze.

“Merkel do të ketë mbështetjen time për ankesën e saj, por më parë na duhen faktet në tavolinë”, tha Rutte.

Çështja e përgjimeve midis BE-së dhe Amerikës filloi më 23 tetor, kur Angela Merkel i telefonoi presidentit amerikan Barack Obama, duke kërkuar shpjegime pasi shtypi gjerman kishte shkruar se amerikanët kanë përgjuar telefonin e saj.

Merkel tha se kërkon nga Amerika të qartësojë shkallën e vëzhgimit të saj në Gjermani.

Në anën tjetër Steffen Seibert zëdhënësi i saj, tha se “pikëpamja e Merkelit është se praktika të tilla janë krejtësisht të papranueshme”.

“Midis miqve të mirë dhe partnerëve për dekada të tëra, siç janë Republika Federale e Gjermanisë dhe SHBA-të, nuk duhet të ketë monitorim të kreut  të qeverisë”, tha ai.

Merkel kërkon një “shpjegim të plotë dhe gjithpërfshirës”, tha Steffen Seibert në një deklaratë.

Reagimet nga Shtëpia e Bardhë ishin të menjëhershme, Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney ka konfirmuar se presidenti Obama ka “siguruar” kancelaren Merkel se SHBA-të nuk kanë monitoruar telefonin e saj celular dhe se një gjë të tillë nuk do të ndodhte as në të ardhmen.

Megjithatë Shtëpia e Bardhë e la të hapur çështjen nëse telefonatat  ishin përgjuar në të kaluarën.

Kujtojmë se edhe në qershor të këtij viti presidenti Obama e siguroi kancelaren Merkel se qytetarët gjermanë nuk janë duke u spiunuar. Në atë kohë, ajo ishte kritikuar nga kundërshtarët e saj politikë për të mos qenë më skeptike mbi një çështje të tillë.

Duke pasur në konsideratë faktin se monitorimi i shtetit mbi thirrjet telefonike ka një kuptim të veçantë në Gjermani, sepse Merkel vjen nga Gjermania Lindore,  ku përgjimet e telefonit ishin të përhapura .

Michel Barnier, komisionar veteran francez i BE-së deklaroi të enjten për BBC-në se është tepruar me këtë situatë dhe se mirëbesimi me SHBA-në është tronditur.

Barnier, komisioner për Shërbimet e Brendshme tha se Europa nuk duhet të jetë naive, ajo duhet të zhvillojë instrumentet e veta dixhitale strategjike, si për shembull “Data Cloud Europian” të pavarur nga mbikëqyrja amerikane.

Europa të zhvillojë pajisjet e veta digjitale strategjike, si për shembull “Data Cloud Europian” të pavarur nga mbikëqyrja amerikane.

Shkrimi është bazuar në raportimet nga the Guardian, BBC dhe ITV News