“Adem Jashari” i Gatshëm për Botën (TV)

I pari që ateroi në pistën e re të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari” ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili erdhi me helikopter nga Tirana.

Pas një ore, ateroi edhe aeroplani i kryeministrit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i cili erdhi së bashku me një numër zyrtarësh.

Në fjalimet e tyre, kryeministrat lavdëruan njëri tjetrin për marrëdhëniet që kanë ndërmjet vete si në aspektin ekonomik po ashtu edhe politik.

Kryeministri Rama tha se është i lumtur që ishte i pari së bashku me bashkëshorten e tij Linda që ateruan në pistën e terminalit të ri të aeroportit të Prishtinës.

Rama tha se Adem Jashari është emri i krenarisë për Kosovën dhe Kosova do të vazhdojë të presë shumë miq të saj.

Ndërsa kryeministri turk Erdogan tha se Kosova dhe Turqia kanë histori të përbashkët dhe popujt janë vëllazëror. Ai tha se Turqia ishte njëri ndër shtetet e parë që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai shtoi se populli turk dhe kosovar janë afër njëri tjetrit duke përmendur Mehmet Akif Ersojin me origjinë nga Kosova, i cili ka shkruar tekstin e himnit turk.

Kryeministri i Kosovës i quajti vëllezër kryeministrat Erdogan dhe Rama duke thënë se është i lumtur që i ka si mysafirë.

Terminali i ri ka hapësirë prej 45 mijë metrash katrorë, ka tri ura, platforma të reja, kullë kontrolli dhe parking me kapacitet për 1 mijë e750 vetura.

I tërë ky projekt ka kushtuar 130 milionë euro dhe është ndërtuar nga konzorciumi turko-francez, Limak- Aeroport de Lyon.

Ky konzorcium mori zyrtarisht menaxhimin e aeroportit të Prishtinës më 4 prill të vitit 2011 për 20 vjetët e ardhshëm.