Protesta në Fushatë për Lirinë e Bartjes së Shamisë (TV)

“Edhe unë si shumë vajza të tjera pata fatin të përjashtohem nga shkolla, për shkak se vendosa ta barti mbulesën. E si iu duket atyre që më përjashtuan mua nga shkolla dhe me ndanë nga librat  dhe shoqëria”, tha  Dafina Delia, ish-nxënësja e përjashtuar nga shkolla fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë.

Dafina është 17 vjeçare dhe është përjashtuar nga kjo shkollë vitin e kaluar, sepse kishte filluar të barte shaminë .

 Këto pakënaqësi ajo i shprehu të mërkurën, në protestën e organizuar në sheshin “Skënderbeu”, para Kuvendit të Kosovës në Prishtinë.

Kjo protestë është organizuar nga një grup i nxënëseve  të përjashtuara nga shkolla për bartje të veshjet fetare, studente të departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës  dhe organizata jo-qeveritare “Rrjeti i Femrave për Organizim Profesional”.

Sipas organizatorëve të protestës, qëllimi i këtij tubimi ishte që t’i bëjnë thirrje Qeverisë, por edhe Kuvendit të Kosovës, që ta shfuqizojnë rregulloren administrative nr 6/2010 që ua ndalon vajzave nën moshën madhore bartjen e shamisë nëpër shkolla.

Udhëzimi Administrativ nr: 6/2010 që përcakton Kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme dhe të larta, është nxjerrë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), më 11.maj 2010.

Neni 4 i këtij udhëzimi, ndalon bartjen e uniformës fetare nëpër shkolla.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, teksa foli të martën mbrëma, në emisionin “Rubikon” të KTV-së, përmendi radikalizmin fetar si pengesë për Kosovën.

“Asnjë shtet i botës nuk lejon aktivitete radikale. Tani Kosova sikur të gjitha shtetet e botës  është e rrezikuar nga radikalizmi  ideologjik fetar”, tha Jahjaga, për këtë emision.

Ajo foli edhe për çështjen e ligjërimit të mësim-besimit nëpër shkolla.

“Kosova është një shtet që ka një traditë të gjatë të harmonisë ndërfetare dhe të tolerancës dhe me Kushtetutën aktuale Kosova është një shtet laik ku të gjithë qytetarët kanë të drejtën të ushtrojnë besimin e tyre dhe nuk konsideroj që është i nevojshëm fokusimi në këtë çështje, por është i rëndësishëm respektimi i kushtetutës”, shtoi presidentja.

Lindita Ismajli, studente nga Departamenti i Psikologjisë tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ne kemi dalë këtu, për të protestuar në mënyrë paqësore, kundër udhëzimit administrativ në fuqi që ndalon bartjen e uniformës fetare nëpër shkolla.

“Ky udhëzim administrativ, bie në kundërshtim me Kushtetutën”, tha Lindita Ismajli. “Bartja e shamisë është një e drejtë që lejohet me Kushtetutë”, vazhdoi ajo.

Nga ana tjetër, Belkise Berisha nga organizata jo-qeveritare “Rrjeti i Femrave për Organizim Profesional,  tha se “kemi dalë në mbështetje të nxënëseve të përjashtuara nga shkollat, për shkak të bartjes së shamisë.

“Ne mendojmë se me këto veprime të përjashtimeve të tilla, cenohet në radhë të parë personaliteti dhe integriteti, e pastaj aftësitë mendore”, tha Belkise Berisha.

“Organizimi i protestës së sotme para Kuvendit,  është krejt një rastësi dhe nuk ka të bëjë asgjë me vizitën e kryeministrit të Turqisë Erdogan në Kosovë”, shtoi Berisha.

Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (Adalet ve Kalkınma Partisi) e Erdogan-it, për pak i shpëtoi ndalimit me ligj nga Gjykata Kushtetuese e Turqisë më 30 qershor 2008, ngase sipas kushtetueses së këtij vendi po rrezikonte karakterin laik të shtetit, duke qenë e orientimit islam.

Njëra nga organizatoret e protestës, ditën e zgjedhur për shprehje të kësaj pakënaqësie, e lidhi me diçka tjetër.

Studentja e psikologjisë Lindita Ismajli tha se organizimi i protestës më 23 tetor është bërë me qëllim,  “se ne jemi në fushatën elektorale dhe më këtë u kena dhënë kohë politikanëve për me mendu për këtë çështje, se përndryshe nuk do të marrin votën tonë”.