Kosova Vazhdon Ta Ketë Problem Varfërinë

Në Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, është shprehur  se roli aktiv i  parlamentit në planifikim të uljes së varfërisë, nxit pjesëmarrje më të plotë të shoqërisë në zhvillim ekonomik.

Takimi i së mërkurës kishte për qëllim informimin mbi procesin e objektivave të mijëvjeçarit dhe të ngritjes së nivelit të përfshirjes sociale.

Çrrënjosja e varfërisë është njëra nga tetë objektivat zhvillimore të mijëvjeçarit, një projekt global për përmirësimin shumëdimensional të jetesës, afati për arritjen  e të cilave është viti 2015.

Kryeparlamentari Krasniqi, tha se shpreson të nxjerrin vendime të qarta për hapat vijues të veprimeve, nga ana e deputetëve, ashtu që të përshpejtohen prioritetet deri në përfundimin e afatit të dhënë në objektivat zhvillimore të mijëvjeçarit, më 2015.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke përkrahur procesin zgjedhor nëpër komuna, prandaj apeloj që të sigurohet që programet e partive të tyre të përbëjnë objektiva konkrete për zhvillimin e qëndrueshëm për të gjithë qytetarët pa dallim, me vëmendje të veçantë për grupet më të rrezikuara të shoqërisë sonë”, tha Krasniqi.

Ndonëse Kosova nuk është ende anëtare e barabartë e  OKB-së, kryeparlamentari Krasniqi është shprehur se “…jemi përkushtuar duke theksuar edhe në Kushtetutë se do të marrim përsipër aplikimin e konventave dhe protokolleve të OKB-së dhe Këshillit të Eropës”.

Ai tha se linja që parasheh procesi pas vitit 2015, për ndryshimet kualitative dhe objektiva më të qëndrueshme zhvillimore, duhet të ndiqet edhe nga Kosova.

Andrew Russel, koordinator i sapoemëruar i agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, duke komentuar të gjeturat e raportit “Një milion zëra-botën të cilën e duam”, është shprehur  se Kosova sot luan rol të rëndësishëm, siç tha ai në sjelljen e zërave të njerëzve për disenjimin e një bote siç ne e duam.

“Një nga gjërat që raporti thekson, është se një numër i objektivave ekzistuese, janë ende të rëndësishëm, të cilat nuk mund t’i harrojmë, duke përfshirë këtu çrrënjosjen e varfërisë dhe urisë, barazinë gjinore, shërbimet shëndetësore dhe qasjen në arsim cilësor”, ka thënë ai.

Russel, duke folur për sfidat drejt arritjes së këtyre objektivave, përmendi mungesën e të dhënave kualitative dhe kuantitative, si një nga problemet që e përcjellim arritjen e këtyre objektivave.

“Siç e dimë të gjithë, një nga sfidat  këtu në Kosovë është mungesa e të dhënave kuantitative dhe kualitative të bazuara në marrjen e vendimeve nëpër sektorë të ndryshëm”, tha ai.

Ai shtoi  se ekipi i OKB-së do të vazhdojë të punojë me institucionet vendore,  në përmirësimin e mbledhjes së  të dhënave, analizave, duke përfshirë këtu edhe analiza krahasuese.

Të ftuar në tryezë ishin edhe përfaqësues të komisionit parlamentar për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale, komisionit për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur e peticione, komisionit për arsim, kulturë, rini,…,komisionit  për bujqësi, pylltari, ambient dhe planifikim hapësinor.

Po ashtu pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të agjencive zhvillimore të Kombeve të Bashkuara dhe shoqërisë civile kosovare.

Projekti global për arritjen e objektivave zhvillimore të mijëvjeçarit, është adoptuar si iniciativë e liderëve botërorë nga viti 2000, afat për arritjen  të cilave është viti 2015. Kosova u bë pjesë e kësaj iniciative pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.