Kosovarët Hanë Ushqim të Dyshimtë

Alarm për cilësi të dobët ushqimi është dhënë të mërkurën në Kosovë. Është bërë kjo të mërkurën, në Ditën Botërore të Ushqimit, e cila është shënuar nëpërmjet aktiviteteve, gjatë të cilave u dhanë këndvështrime të ndryshme sa i përket cilësisë së ushqimit dhe kontrollit të tij.

Senton Kaçaniku nga Organizata Konsumatori është shprehur i shqetësuar sa i përket cilësisë së asaj që hanë dhe pinë kosovarët. Sipas tij, prodhimet që importohen tash e 14 vjet nga Serbia kanë cilësi të dyshimtë dhe konsumatorëve nuk u jepet fare llogari për këtë.

“Tregu ynë ushqimor po ashtu ka qenë i rrezikuar shumë herë nga prodhime të dyshimta dhe kancerogjene, të importuara nga rajoni, por kjo deri tani nuk ka mjaftuar për të nxitur Kosovën që të marrë masa mbrojtëse ndaj importit të rrezikshëm që vjen nga Serbia, Bosnja apo ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”, tha Kaçaniku.

Sipas tij, një shqetësim tjetër për ushqimin në Kosovë, e përbën edhe çështja ekonomike, e cila ka thënë se e përcakton cilësinë e ushqimit.

“Shumica dërrmuese e konsumatorëve merr vendime për blerje, posaçërisht kur është fjala tek ushqimet, duke u bazuar kryesisht në çmimin më të lirë, e jo në cilësi. Rrjedhimisht konsumatori që mezi ngopet, e ka më të lehtë të marrë vendim për t’u ushqyer me ushqime të lira e të dyshimta, sesa me ushqim të sigurt por të pamjaftueshëm”, tha Kaçaniku.

Ndryshe janë shprehur përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë dhe ata të Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë (AVUK), të cilët e shënuan Ditën Botërore të Ushqimit nëpërmjet një organizimi, ku prezantuan kriteret e reja për operatorët e Biznesit në Kosovë.

Kryeshefi ekzekutiv i AUK-ut, Valdet Gjinovci, tha se agjencia ka punuar në përcaktimin e rregullave të nevojshme për sigurim të ushqimit, duke u mbështetur në kriteret e BE-së.

“Për të arritur qëllimin e ruajtjes së shëndetit të konsumatorëve, eliminimin dhe parandalimin e pasojave nga ushqimi jo i sigurt në Kosovë, kemi dhënë një përkushtim për t’i arritur këto qëllime”, tha Gjinovci.

 Ai më tej falënderoi Bashkimin Europian dhe UNICEF-in, të cilët tha se ndikuan në ngritjen e infrastrukturës për prodhuesit dhe përpunuesit e ushqimit si dhe lartësimin e resurseve njerëzore për sigurimin e ushqimit.

Isuf Cikaqi, drejtor i Departamentit të Politikave Bujqësore dhe të Tregtisë në Ministrinë e Bujqësisë, tha se ky dikaster qeveritar është duke i mbështetur fermerët dhe operatorët me qëllim që të ketë prodhim vendor më të lartë.

“Ministria e Bujqësisë, nëpërmjet programeve, po mundohet që në rend të parë t’i mbështesë prodhuesit dhe përpunuesit, ku njëra ndër objektivat kryesore është rritja e cilësisë së ushqimit dhe e prodhimtarisë”, tha Cikaqi.

Në shënimin e Ditës Botërore të Ushqimit në Kosovë mori pjesë edhe Eberhard Haunhorst, kryetari i Zyrës për Mbrojtje të Konsumatorit dhe Siguri të Ushqimit në  Saksoninë e Ulët të Gjermanisë.

Ai tha se Kosova legjislacionin për ushqimin duhet ta harmonizojë me BE-në, derisa foli për ligjet europiane të kësaj fushe, të miratuara në vitin 2006.

 Dita Botërore e Ushqimit përkon me përvjetorin e themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë në vitin 1945.

Sipas raportit të ri të kësaj organizate, rreth 842 milionë njerëz, ose një në tetë persona, kanë vuajtur nga uria kronike në vitet 2011-2013, duke mos pasur ushqim të mjaftueshëm për një jetë aktive dhe të shëndetshme.

Kjo ditë organizohet që prej vitit 1981 dhe synon të vetëdijësojë politikëbërësit për rëndësinë e ushqimit dhe rolin e tij në shëndetin dhe mirëqenien e individit dhe zhvillimin e mbarë kombeve.

Çdo vit, fokusi i kësaj dite është i ndryshëm, por ajo gjithnjë ka për qëllim të çojë në drejtim të përmbushjes së Objektivave të Mijëvjeçarit për zhdukjen e urisë dhe varfërisë, si dhe uljen e vdekshmërisë dhe përmirësimin e shëndetit mes fëmijëve dhe grupeve me nevojë.