Monumente Shqiptare do të Vendosen në Qendër të Shkupit

Kryetari i komunës Qendër të Shkupit, Andrej Zhernovski, tha se nuk do të pengojnë vendosjen e tri monumenteve, si pjesë e projektit Shkupi 2014, në qendër të qytetit, edhe pse ai e kundërshton me forcë projektin e kushtueshëm për dekorimin e qytetit.

“Nuk dua të bëhem arsyeja e tensioneve ndëretnike”, shpjegoi Zhernovski.

Shkrimtari dhe prifti katolik shqiptar Pjetër Bogdani, shkrimtari dibran Josif Bageri dhe Nexhat Agolli, ministër në qeverinë e parë të Maqedonisë në vitin 1945, janë disa nga personalitetet, shtatoret e të cilëve do të vendosen në qendër të Shkupit.

Piedestalet e tri monumenteve tashmë janë ndërtuar nga paraardhësi i Zhernovskit, Vladimir Todoroviq, megjithëse derdhja në bronz ende nuk ka përfunduar dhe kryebashkiaku i ri nuk e di se kur saktësisht do të vendosen shtatoret mbi piedestale.

Qeveria maqedonase e udhëhequr nga partia e qendrës së djathtë VMRO-DPMNE, nisi projektin kontrovers “Shkupi 2014” në vitin 2009.  Ky projekt ka vendosur statuja të mëdha anembanë qytetit, ndërsa janë ndërtuar dhe rindërtuar dhjetëra godina tjera në qendër të qytetit.

Megjithatë,  që nga fillimi projekti ishte kritikuar nga komuniteti i madh shqiptar në vend, i cili përbën një të katërtën e popullsisë së përgjithshme prej 2.1 milionësh.

Gati të gjithë udhëheqësit shqiptarë në vend kërkuan rishqyrtimin e projektit, pasi ai ishte diskriminues ndaj shqiptarëve etnikë, pasi profilizonte vetëm heronjtë e shumicës etnike maqedonase.
 
Prandaj qeveria, nën presionin e partisë bashkëqeverisëse shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), u pajtua më vonë të përfshijë tri statuja që përfaqësojnë shqiptarët etnikë.

Njëra do të vendoset përballë ndërtesës së parlamentit, një në sheshin kryesor të Shkupit dhe tjetra pranë Teatrit Kombëtar.

Komuna, e drejtuar deri në zgjedhjet lokale të pranverës nga Todoroviq, ishte bastioni kryesor i partisë në pushtet VMRO-DPMNE të kryeministrit Nikola Gruevski.

Përderisa Todoroviqi mbështeste këtë projekt dhe kishte marrë dhjetëra miliona euro nga qeveria për të ngritur statuja , Zhernovski ishte kundër saj.

Zhernovski i ka akuzuar kundërshtarët e tij politikë për pastrim parash dhe ka ngritur një komision ekspertësh për të hetuar përfshirjen e Komunës në projektin i cili dyshohet për krime financiare.

Një raport preliminar i hetimit, publikuar gjatë gushtit të këtij viti, sugjeronte se komuna kishte thyer ligjin duke ngritur shumë statuja të kushtueshme, të cilat vetëm parlamenti i vendit mund t’i miratonte.

Qeveria ka hedhur poshtë hetimin dhe ka mohuar pretendimet për shkelje financiare duke thënë se ky organ hetues është i njëanshëm dhe i afërt me opozitën.

Ky shkrim është botuar së pari në Balkan Transitional Justice