Doracak për Reagim Ndaj Dhunës në Familje

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013, në Departamentin e Përgjithshëm dhe Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë së Kosovës, janë identifikuar 1,051 raste me gjithsej 1,544 persona të involvuar, si kryes të dhunës në familje.

Këtë statistikë e solli prokurori Lulzim Sylejmani nga Prokuroria e Apelit, gjatë lansimit të projektit “Procedurat Standarde të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje”, që u bë të martën nga Qeveria e Kosovës.

Procedurat Standarde të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje si dokumentacion u shpalosën fillimisht në shtator të këtij viti dhe si probleme kyçe kishin identifikuar vështirësitë që një viktimë i hasë në identifikimin e institucionit ku mund të kërkojë ndihmë.

Dokumentacioni i procedurave… gjithashtu vuri në pah ndërgjegjësimin e ulët publik që rrjedh nga frika e stigmatizimit si dhe riviktimizimin e viktimave, nga ana e institucioneve, për shkak të mungesës së koordinimit të tyre.

Në këto procedura të shtypura në formë libri, thuhet se vizioni i këtij dokumenti është që të përmirësojnë reagimin e shtetit ndaj rasteve të dhunës në familje, shmangien e viktimizimit sekondar si dhe fuqizimin e viktimave për t’u larguar nga marrëdhëniet e dëmshme abuzive. Dokumenti gjithashtu flet për ri-integrimin e tyre në shoqëri.

Përfaqësuesi i prokurorisë foli mbi rëndësinë e ndjekjes së veprave penale që në vete ngërthejnë elemente të dhunës në familje.

“Ne si prokurori konsiderojmë se do kishim arritur sukses, nëse arrinim të rehabilitojmë viktimat, duke mos përjashtuar këtu dhe rehabilitimin e kryesve në rrjedhat normale të jetës”, tha Sylejmani.

Naim Rexha, zëvendësdrejtor i policisë, shtroi çështjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë, e cila duhet të marrë përgjegjësi, nëse dikush i nënshtrohet dhunës në familje, e jo ky fenomen të trajtohet si një problematikë që zgjidhet brenda mureve të shtëpisë.

“Kudo në botë, një femër rrezikohet më tepër nga dhuna në familje, sesa nga abuzimi jashtë saj”, tha Rexha.

Agjencia për Barazi Gjinore organizoi këtë takim, me qëllim që institucionet relevante të Republikës së Kosovës, të informohen me obligimet e tyre qe rrjedhin nga këto procedura, si dhe të koordinojnë referimin e viktimave në shërbimet ekzistuese.

Në këtë takim që u mbajt në ndërtesën e qeverisë ishin të pranishëm përfaqësues të ekzekutivit dhe të organizatave të ndryshme joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare.