Privatizimi Vazhdon T’u Detyrohet ish-Punëtorëve

Hasan Ramadani nga Suhareka ish punëtor i fabrikës së gomës Ballkani tha se derisa të tjerët bëjnë fushatë politike, shokët e tij janë në grevë  tash 10 ditë.

“Ne tani s’na mbeti gjë tjetër, domethënë prej vitit 2005 tash jemi në vitin 2013, asgjë s’kemi përfituar si punëtorë të asaj firme të madhe domethënë as 20 përqindëshin, por [as] tani edhe me procesin e likuidimit…” tha Ramadani.

“Tani jemi në grevë … aty afër bëjnë fushatë, bëjnë zhurmë, kurse për ne anash gjoja se çuditen si që  8- 9 vite [pa asnjë  kompensim]” shtoi Ramadani.

Ramadani ka thënë se shumë herë i janë drejtuar AKP-së dhe kanë vizituar edhe gjykatën për të kërkuar atë çfarë ju takon.

“Kjo është përbuzje e njerëzve, kjo është përbuzje e gjithçkafit, e kapitalit, nga njerëzit që vendosin të kenë pak mëshirë ndaj këtyre gjanave[…]. Është shitë, është përbuzë gjithë ai kapital me një konkurrent, për 1 milion e 400 mijë euro”, thotë ai.

Ali Azemi kryetar i Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj, ka thënë se punëtorët e kësaj fabrike nuk janë në situate hiq më të mirë, sesa ata të fabrikës së gomave Ballkan në Suharekë.

“ Prej atyne 1200 punëtorëve që kanë marrë rroga më shumë se në Gjermani këtyne herë, ka 1200 marka, tash në vend që ato rroga t’i gëzojnë edhe sot, fabrika punon me 50 punëtorë edhe ata nuk e kanë përmbi 150 euro rrogë […]“Nëse e shohim se në këtë privatizim kush ka fitu, këtu po del se punëtori është në mjerim.  ” tha Azemi.

Përfaqësues institucionalë, panelistë në tryezën e sotme, kanë komentuar të metat dhe keqmenaxhimin mbi procesin e privatizimit.

Deputeti Naser Osmani (LDK) zëvendëskryetar në Komisionin parlamentar për buxhet dhe financa, tha se ka munguar debat i mirëfilltë se cilat janë prioritet për të cilat ka nevojë Kosova për investime.

“ Privatizimi në Kosovë ka një histori të veten që mund të them edhe si deputet, edhe si njeri që kam punuar aty, me të mirat dhe më shumë të meta e saj.  Nuk ka pas një debat të mirëfilltë se cilat janë prioritetet për të cilat Kosova ka nevojë për investime… “, tha Osmani.

Deputeti Visar Ymeri (VV) anëtar në Komisionin parlamentar për zhvillim ekonomik, ka përmendur si një ndër të metat e këtij procesi shaktërrimin dhe shndërrimin e ndërmarrjeve në objekte që nuk gjenerojnë vende të reja pune.

“ Një prej problemeve kryesore që i ka bartë procesi i privatizimit është që ndërmarrjet janë shkatërru dhe janë shnëdrru në diçka tjetër[…] objekte hotelerie, depo që nuk mund të punësojnë shumë persona”  tha Ymeri.

Ymeri ka thënë se procesi i privatizimit si i tillë ka shkatërruar potencialin prodhues dhe njëherësh është përcjellë edhe me afera të shumta korruptive.

“Çështja e dytë është ajo që e ka shkatërru potencialin e prodhimit e ka rritë papunësinë […] Ky proces është përcjellë me shumë afera korruptive” ka thënë Ymeri.

I pranishëm në panel ishte edhe Cornelis Wan Der Weide, përfaqësues nga  Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme.

Wan Der Weide ka folur për numrin e madh të rasteve që paraqiten në këtë institucion.

“Fatkeqësisht ne në Dhomën e Veçantë kemi shumë raste për të shqyrtuar dhe kjo mund të shkaktojë shumë vonesa”, tha ai.

Ai ka thënë se mbi 5 mijë raste po presin vendime dhe njëherit ka ngritur shqetësimin e pamundësisë së bërjes publike në një veb faqe zyrtare vendimet e këtij organi.

“I kemi 5 mijë raste të punëtorëve që po presin vendime se çka ju takon […]. Më vejn keq që gjyqi ynë është i vetmi gjyq në Europë që nuk ka mundësi t’i publikojë vendimet”, tha Wan Der Weide .

Alban Hashani nga instituti Riinvest, poashtu ka folur për ngecjet  që e kanë përcjellë procesin e privatizimit.

Hashani ka thënë ndër tjera se privatizimi si proces ka për qëllim një ekonomi të zhvilluar.

 “Nuk duhet me u shndërrua ndërmarrjet  në strehimore për punëtorë, por duhet me u shnëdrru të themi në një vend ku produktiviteti paguhet” ka thënë ai.

Avni Jashari nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka folur për të dhënat që kanë rezultuar deri më tash nga procesi i privatizimit.

“Deri më tani Agjencia e Privatizimit ka përfshirë 390 ndërmarrje shoqërore që do të thotë se më shumë se 60 për qind të ndërmarrjeve shoqërore kanë hyrë në procesin e privatizimit prej portfolios së përgjithshme prej 592 ndërmarrjeve shoqërore” tha Jashari.

Sipas tij nga  390 ndërmarrjet e privatizuara janë krijuar 700 të reja që janë privatizuar dhe janë shitur 360 ndërmarrje publike.

“Nga fondi i shitjeve rreth 570 milionë euro janë inkasuar nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore dhe 72 milion euro nga likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore “ tha Jashari.

“Të gjitha paratë të cilat Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka inkasuar nga shitja, gjenden në Bankën Qendrore të Kosovës. Asnjë cent nga fondet e shitjeve të tyre nuk gjendet jashtë llogarive të Bankës Qendrore të Kosovës”,  tha Jashari.

“Sa i përket 20 përqindëshit, vetëm gjatë 3 mujorit të fundit […]  agjencia ka publikuar 33 lista të punëtorëve me rreth 4500 punëtorë përfitues. Deri më tani janë transferuar 77 milion euro për punëtorë”, tha ai.

Moskompletimi i bordit të AKPS-së, të cilit për gati 5 muaj i mungojnë tre anëtarë, duke përfshirë këtu edhe kryesuesin, pas dorëheqjes së trefishtë të anëtarëve, pamundëson që ky bord të mund të marrë vendime për shpërndarjen e 20 përqindëshit të ish-punëtorëve të ndërmarrjeve publike që janë privatizuar.