Turqia Mendon Forma të Reja për Marrëdhënie me BE-në

Turqia u bë kandidate e BE-së në vitin1999, kur në këtë periudhë  prezantoi reforma thelbësore ekonomike si dhe për të drejtat e njeriut. U hoq dënimi me vdekje, u morën masa të ashpra kundër torturës dhe kodi penal u ristrukturua.

Futja në BE sjell përfitimet e qasjes së lirë në tregjet më të mëdha botërore, lëvizjen e lirë të punëtorëve, fonde për rajonet e varfra dhe infrastrukturën, si dhe mundësinë për të qenë pjesë e një unioni politik relativisht stabil.

Por shteti i ardhshëm që do t’u bashkohet 28 shteteve ekzistuese të BE-së është më e mundur të jetë një nga 6 shtetet e vogla ballkanike, 5 prej të cilëve ishin pjesë e Jugosllavisë, në kohën kur Turqia për herë të parë shprehu interesimin për anëtarësim.

Ndërkohë që BE-ja e ka fokusuar vëmendjen diku tjetër, qeveria dhe opinioni turk po përjetojnë rritje të dëshpërimit dhe kanë filluar të mendojnë nëse vërtet u duhet Europa.

Turqia mund të mos pranohet në BE

“Mendoj se askush nuk mund të thotë se ne nuk do të vazhdojmë me procesin e pranimit, as BE-ja, as Turqia”, tha ambasadori turk në BE, SelimYenel, në një debat në Bruksel.

“Por do të vijë një ditë që do të na duhet të vendosim çdo të bëjmë me këtë proces, sepse tash jemi në qorrsokak”, tha Yenel.

Procesi i anëtarësimit të Turqisë në BE,  ka stagnuar që tre vjet dhe është kthyer prapa nga pengesat politike dhe rezistenca nga disa vende të BE-së, përfshi këtu Gjermaninë, Francën dhe Austrinë.

Shtete të fuqishme të BE-së janë ngurrues për t’i hapur derën një shteti të madh kryesisht mysliman, edhe pse anëtar i Aleancës ushtarake perëndimore, NATO, ndërsa shtetet e vogla ballkanike kanë një histori më të qetë të hapave të pranimit.

Ekzistojnë dy rryma të kundërta në lidhje me anëtarësimin e Turqisë në BE, skeptikët e përfaqësuar nga Gjermania si dhe ata që e përkrahin anëtarësimin, të përfaqësuar nga Anglia.

Kundërshtimi i kancelares gjermane Angela Merkel për anëtarësimin e Turqisë në BE është aq i madh saqë ndikon mbi tërë unionin. Edhe nëse ajo mund të detyrohet të hyjë në koalicion me Social-Demokratët ose të Gjelbërit, të cilët duan që BE-ja të vazhdojë bisedimet për anëtarësimin e Turqisë, Merkel ka thënë se kjo çështje nuk do të jetë prioritet.

Ndërkohë disa shtete të BE-së, duke përfshirë Anglinë, e përkrahin anëtarësimin e Turqisë, që e parë si ardhje të një ekonomie dinamike dhe të një lojtari të fuqishëm në Lindjen e Mesme, gjë që përbën përfitim për BE-në.

Turqia e vlefshme për BE-në

Marietje Schaake, një anëtare e Partisë Liberale Gjermane në Parlamentin Europian, beson se BE-ja duhet të vazhdojë punën për anëtarësimin e Turqisë duke nxitur në të njëjtën kohë edhe reformat në këtë vend.

“Marrëdhënia jonë po kalon në kohë të vështira …por si një partner tregtar, si një aleat i NATO-s, si një fqinj në Lindjen e Mesme të trazuar, duhet të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e marrëdhënieve Turqi-BE”, i tha ajo Reutersit. “Por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të jemi kritikë”.

Tashmë Turqia ka filluar ta shohë se si do të dukej marrëdhënia me BE-në, nëse anëtarësimi nuk do të ndodhë.

Lidhjet Turqi-Europiane janë tashmë të forta . Si një partnere e SHBA-së që u anëtarësua në NATO në vitin 1952 dhe si  një anëtare e përkushtuar e aleancës perëndimore me bazën e dytë më të madhe ushtarake, Turqia mbetet një aleate e huaja e vlefshme.

Partneritetet ekonomike dhe tregtare janë gjithashtu shumë të afërta. Yenel, ambasadori turk, është i bindur se këto lidhje do të vazhdojnë, pa marrë parasysh nëse Turqia do t’i bashkohet ose jo, bllokut.

“Lidhjet e brendshme, lidhjet komplekse me BE-në do të vazhdojnë pa marrë parasysh çfarë ndodh”, tha ai.

Por nëse dështojnë bisedimet për Qipron, Ankaraja duhet të pranojë që oferta për anëtarësim është bllokuar dhe duhet t’i tregojë Brukselit se çfarë kërkon pas kësaj. Për shembull mund të kërkohet marrëveshje për tregti të lirë, për të zëvendësuar përfitimet nga unioni doganor i BE-së.

Kryesuesi turk i negociatave Egemen Bagis, është gjithashtu i bindur për faktin se BE-ja dhe Turqia do të vazhdojnë të punojnë përkrah njëra-tjetrës

“Në terma kohore afatgjate besoj se Turqia do të përfundojë si Norvegjia. Do të kemi standarde europiane, në një kohë kur nuk do të jemi shtet anëtar”, tha ai.

(Shkrimi bazohet në raportimet e New York Times-it, Reuters-it dhe BBC-së)