Renditen Problemet e Regjionit të Prishtinës

Të enjten, në Prishtinë janë publikuar edhe shtatë raportet e fundit për problemet kryesore dhe trendët afatmesëm buxhetorë të komunave: Prishtinë, Drenas, Fushë Kosovë, Lipjan, Graçanice, Obiliq, dhe Podujevë.

Agron Demi, drejtor ekzekutiv i GAP-it, ka prezantuar gjetjet kryesore të raporteve, duke u përqendruar në problemet të cilat organizata i ka identifikuar gjatë hulumtimeve në terren.

Në bazë të hulumtimeve, shqetësimet kryesore të banorëve të Komunës së Prishtinës janë: problemet me regjistrimin (përkthimin) e pronave private, problemet në transportin urban dhe ndërtimet pa leje.

Probleme tjera kronike të Prishtinës, sipas raportit janë edhe mungesa e ujit të pijes, uzurpimi i hapësirave publike, mungesa e vendparkingjeve për vetura, mungesa e çerdheve nëpër lagjet e qytetit, mungesa e gjelbërimit dhe parqeve, ndotja e ambientit, mungesa e fushave sportive dhe rekreative dhe mungesa e ndriçimit publik.

Z. Demi gjithashtu ka prezantuar edhe problemet me të cilat përballen komunat tjera të regjionit të Prishtinës. Disa prej problemeve kryesore në këto komuna janë: mungesa e rrjetit të ujësjellësit dhe ujit të pijes në komunën e Podujevës dhe Graçanicës, ndotja e ambientit në komunën e Obiliqit dhe Fushë Kosovës, ndotja e lumit “Sitnica” në komunën e Lipjanit, dhe vërshimet dhe ndotja e lumit “Drenica” në komunën e Drenasit.

Nga Z. Demi gjithashtu u prezantuan trendët buxhetorë për shtatë komunat, të nxjerra nga Raportet Financiare dhe Kornizat Afatmesme Buxhetore 2014-2016.

Përfshirja e KAB-it në raportet e GAP-it ka për qëllim informimin e qytetarëve për kapacitete buxhetore të komunës dhe ndërlidhjen e buxhetit me aftësitë e komunës për të zgjidhur problemet me të cilat përballen qytetarët.

Jeta Xharra, drejtoreshë ekzekutive e BIRN-it, ka shpalosur planet e kësaj organizate për debatet parazgjedhore me kandidatët për kryetarë komunash, të cilët do të përballen me pyetje konkrete se si do t’i zgjidhin problemet e identifikuara nga BIRN-i dhe GAP-i.

Po ashtu, Znj. Xharra ka ftuar qytetarët që të gjitha shqetësimet e tyre t’i adresojnë përmes platformës www.kallxo.com dhe këto shqetësime do t’u parashtrohen edhe kandidatëve për kryetarë komunash gjatë debateve paraelektorale.

Këto raporte do t’u dorëzohen të gjithë kandidatëve për kryetarë komunash, me qëllim që kandidatët të përfshijnë në programin e tyre zgjedhor edhe alternativat për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Gjatë konferencës gjithashtu u prezantuan disa të dhëna të përgjithshme rreth hulumtimeve për problemet kryesore komunale në Kosovë.

Problemet më të shpeshta që janë hasur në komuna janë mungesa e ujit të pijes, problem ky i identifikuar në 27 komuna, menaxhimi  jo i mirë i mbeturinave, i identifikuar në 24 komuna, probleme në shtretër të lumenjve, identifikuar në 21 komuna, dhe mungesa e kanalizimeve, identifikuar në 20 komuna.