Karaxhiq Thërret Mlladiqin për të Dëshmuar Pafajësinë e Tij

Karaxhiq ka dorëzuar listën e dëshmitarëve që ai dëshiron t’i thërrasë në mbrojtje, në gjykimin e tij për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, duke përfshirë Mlladiqin dhe ish-kryetarin e parlamentit serb të Bosnjës, Momçillo Krajishnik.

Në kërkesë, mbrojtja e tij thotë se Mlladiq pritet të konfirmojë se “ai kurrë nuk e kishte informuar Karaxhiqin, qoftë me gojë ose me shkrim , që robërit nga Srebrenica do të pushkatoheshin dhe se Karaxhiq kurrë nuk kishte dhënë urdhër, planifikuar ose kishte pasur për qëllim ekzekutimin e robërve”.

Karaxhiq dhe Mlladiq ndodhen në Tribunalin e Hagës për të njëjtat akuza, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë dhe shtatë komuna të tjera boshnjake, persekutimin e kroatëve, boshnjakëve dhe terrorizimin e popullsinë së Sarajevës dhe marrjen peng të ushtarëve paqeruajtës të OKB-së.

Në prill të këtij viti, Karaxhiq i kërkoi gjykatës që të lëshojë një fletëthirrje speciale që do ta detyronte Mlladiqin të dëshmojë, pasi ai ka refuzuar ta bëjë këtë vullnetarisht, megjithatë gjykata ende nuk e ka marrë një vendim të tillë.

Krajishnik u lirua nga një burg britanik më 31 gusht të këtij viti, pasi kishte vuajtur dy të tretat e dënimit prej 20 vjetësh për krime lufte.

Karaxhiq dëshiron që Krajishnik-u të dëshmojë në nëntor, ndërsa Mlladiqi në dhjetor.

Lista e dëshmitarëve të Karaxhiqit  përfshin gjithashtu gjeneralin e ushtrisë serbe të Bosnjës, Zdravko Tolimir si dhe kolonelët Ljubisha Beara dhe Vujadin Popoviq, të cilët Tribunali i ka dënuar  me aktgjykim të shkallës së parë , me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë.

Tribunali më parë vendosi se Tolimir dhe Beara duhet të dëshmojë në gjykimin e Karaxhiqit, por Tolimir ka paraqitur ankesë kundër aktvendimit që ende nuk është shqyrtuar.

Gjykimi i Karaxhiqit do të rifillojë më 29 tetor, pas një ndërprerje dymujore e cila u bë me qëllim që atij t’i jepej kohë të përgatisë mbrojtjen  kundër akuzave të rivendosura për gjenocid ndaj boshnjakëve dhe kroatëve në komunat e Bosnjës: Bratunac, Foça, Kljuq, Prijedor , Sanski Most, Vlasenica dhe Zvornik.