Me Muzikë, Për Pajtim

Muzikantë nga Kroacia, Serbia, Sllovenia dhe Bosnja e Hercegovina luajtën veprën “Rekuiem Lufte” të Benjamin Britten-it të shtunën, për të shënuar 40 vjetorin e hapjes së sallës së koncerteve “Vatroslav Lisinski” në kryeqytetin kroat.

Drejtori i kësaj salleje Drazhen Sirisceviq tha që “ Lisinski në përvjetorin e dyzetë vazhdon traditën e respektimit dhe përhapjes së multikulturalizmit, paqes dhe mirëkuptimit, duke performuar muzikën e Benjamin Britten-it”.

Gjashtë orkestra dhe kore nga katër shtete realizuan “Rekuiemin e luftës”:  Filarmonia e Zagrebit, Dhoma  Orkestrale e Filarmonisë së Sarajevës, Kori i Radio-Televizionit të Serbisë dhe ai i Teatrit Kombëtar të Sarajevës, Dhoma e Korit të Sllovenisë dhe kori “Yjet e Vegjël” nga Zagrebi.

Solistët Aneta Iliq nga Beogradi, Ljubomir Puskariq nga Zagrebi dhe Amir Saraceviq nga Sarajeva u shfaqën me solo-këndime, ndërsa ngjarjen e udhëhoqën Ivo LIpanoviq nga Kroacia dhe Samira Gulanoviq nga Bosnja.

“Rekuiemi i Luftës” është vepra më e njohur e Britten-it, ndërsa në të shprehen ndjenja të fuqishme kundër luftës.

Kjo vepër u luajt së pari në vitin 1962 për të shënuar ndërtimin katedrales së re në qytetin britanik Coventry, qytet që ishte shkatërruar nga bombardimet gjatë Luftës së Dytë Botërore.