Anëtarja e KPM-së Flet si Zëdhënëse e Iniciativës Serbe për Partesh (Audio)


Emaili i dërguar mediave nga Vesna Jovanoviq ku ajo është nënshkruar si Shefe e Shtabit Zgjedhor për Partesh | Foto: Gazeta Jeta në Kosovë

Komisioni i Pavarur për Media mohon angazhimin e anëtares së saj në aktivitetet politike që kanë filluar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë përkundër faktit se ajo ka folur zyrtarisht për Iniciativën Qytetare Serbe për Partesh.

“Vesna Jovanoviq nuk ka asnjë pozitë politike askund që nga viti 2007”, tha Fikrete Çoçaj, zyrtare e lartë për marrëdhenie me publikun në KPM, duke iu referuar postit që ajo ka pasur deri atëherë si deputete në Kuvendin e Kosovës me partinë serbe liberale, SLS.

Ndërsa vetë anëtarja e Komisionit të Pavarur të Mediave, Vesna Jovanoviq thotë se nuk është e angazhuar në aktivitete politike por ka iniciativë personale për të ndihmuar Iniciativën Serbe Qytetare për Partesh.

Gazeta Jeta në Kosovë ka në posedim një incizim të bisedës telefonike më Jovanoviq ku ajo flet nga pozita e zëdhënëses së “Iniciativës Serbe Qytetare” për Partesh, duke komentuar rreth shanseve të Listës “Srbija”.

Në fillim të shtatorit, Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me kandidatin për kryetar të Parteshit, Dragan Nikoliq, të cili i është kërkuar një komentim për akuzat e kryatarit të SLS-së drejtuar atij rreth ndikimit të dyshuar të Nikoliqit tek një qytetar për të punuar kundër kryetarit të Parteshit.

Nikoliq refuzoi të flas duke propozuar Vesna Jovanoviqin, e cila siç tha ai është e ngarkuar të flas me media.

Por, kur të enjten i është kërkuar sqarim se pse anëtarja e KPM-së është angazhuar si zëdhënëse kandidati për kryetar “Iniciativa Serbe Qytetare për Partesh”, Dragan Nikoliq doli në mbështetje të Jovanoviqit duke thënë se emri i saj nuk figuron zyrtarisht askund në këtë iniciativë.

Ai ka dashur t’i shpjegojë Gazetës Jeta në Kosovë se ka afër tij njerëz të cilët janë të vullnetit të lirë për t’i ndihmuar në garën e tij për kryetar të komunës së Parteshit.

“Emailin që ju keni me emër të saj është i falsifikuar”, tha Nikoliq.

Gazeta ka në posedim e-mailin e datës 16 shtator ku Jovanoviq u dërgon mediave serbe një komunikatë për media në emër të Iniciativës Serbe Qytetare për Partesh dhe në fund nënshkruhet si shefe e shtabit zgjedhor të kësaj iniciative.

Jovanoviq në këtë email ka dërguar një njoftim për media për qëndrimin e iniciativës në lidhje me “shkrimet në media kundër kandidatit tonë për kryetar të komunës së Parteshit”.

“Ky ka qenë një lëshim personal i imi në këtë email. Unë vetëm desha t’i ndihmoj iniciativës”, tha Jovanoviq.


Vesna Jovanoviq, flet në një tubim të Listës Qytetare Serbe për Partesh | Foto: Facebook

Pozita e saj në KPM nuk e lejon atë të marrë pjesë në aktivitete politike, gj që përmendet qartë në ligjin për komisionin.

Neni 3.7. thotë se shkarkimi i një anëtari mund të vjen nëse “ka marrë pjesë aktive në aktivitete politike pasi që është emëruar si anëtar i KPM-së”.

Për më shumë, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të emëroj të enjten një anëtar për Komisionin e Pavarur të Mediave në seancën e saj plenare.

Në votimin e 89 deputetëve, Besim Zeqiri mblodhi 27 vota ndërsa për Driton Qeriqin votuan 43 deputetë. Të pavlefshme u shpallën 19 vota.

Kuvendi i Kosovës i bëri thirrje KPM-së që të rihap konkursin e radhës pasi që Qeriqi duhej të kishte 45 vota të fituara, për të qenë pjesë e KPM-së.