Kenia Nderon Viktimat e Qendrës Tregtare

Qendra tregtare Westgate e Najrobit, kryeqytetit kenian po pastrohet nga shkatërrimet e përleshjeve katërditëshe në mes të forcave qeveritare dhe grupit islamist Al-Shaabab, pasi autoritetet e morën atë nën kontroll, ndërsa në Keni kanë nisur tri ditët e zisë kombëtare për ngjarjen e rëndë.

Përplasja në mes forcave të sigurisë keniane dhe grupit ekstremist islamik në qendrën tregtare Westgate, ka shkaktuar vrasjen e 61 civilëve, gjashtë pjesëtarëve të forcave të sigurisë keniane si dhe plagosjen e 62 personave, informon Gazeta the Guardian.

Sulmi i pjesëtarëve të Al-Shaabab-it nisi të shtunën, kur qendra tregtare ishte e stërmbushur me blerës e vizitorë. Sulmuesit filluan të gjuajnë me armë dhe të hedhin granata, për t’ia hapur vetes rrugën drejt qendrës. Më pas u ngjitën në katet e larta të ndërtesës, duke marrë peng njerëzit që nuk ishin të fesë islame.

“Sulmuesit u thanë myslimanëve që të ngrihen dhe të dalin jashtë, sepse janë të sigurtë. Jomyslimanët ishin caku”, tha dëshmitari Elijah Kamau, që doli i palënduar nga qendra, gjatë së hënës.

Sipas Guardian-it gjatë katër ditëve të luftimeve, janë shkatërruar tre kate të qendrës “Westgate” dhe disa nga trupat e vrarë kanë mbetur nën rrënoja. Numri i të vdekurve mund të rritet, njoftojnë mediet ndërkombëtare.

Presidenti i Kenias Uhuru Kenyatta, të martën mbrëma, në një pronocim në televizionin kombëtar kenian deklaroi: “ne i kemi turpëruar dhe mundur sulmuesit tanë”.

Autoritetet keniane mendojnë se sulmi është organizuar nga një grup prej 10-15 individësh, ndërsa kanë arrestuar 11 persona.

Duke folur për të arrestuarit, presidenti Kenyatta premtoi se nëse vërtetohet se ata ishin pjesë e sulmit, do të dënohen me dënime të rënda.

Në mesin e 11 të arrestuarve, është edhe një shtetase britanike me origjine islamike.

Arrestimin e shtetases britanike e ka konfirmuar edhe Zyra për Inteligjencë e Mbretërisë së Bashkuar, por nuk ka dhënë ma shumë detaje.

Shkrimi është bazuar në raportimet nga gazetat il sole 24 ore, Reuters, BBC news, the Guardian