PDK: Limaj Nuk e Ka Zyrtarizuar Largimin

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Basri Musmurati thotë të mos kenë pranuar asgjë zyrtare nga Fatmir Limaj për largim nga PDK-ja.

“Ato që i kanë ndëgju ti ato i kam ndëgju edhe unë s’kam çka të them kurrgjë”, ka thënë Musmurati.

Musmurati nuk komentoi daljen publike të Limajt, në vendlindjen e tij, në përkrahje të Iniciativës Qytetare për Malishevën, me arsyetimin se janë “duke u marrë me organizim të zgjedhjeve.

Por ish-këshilltari i Limajt në Ministrinë e Infrastrukturës Endrit Shala konfirmoi të hënën për Gazetën Jeta në Kosovë, se në takimin para bashkëvendësve, Limaj ka dalë në përkrahje të Iniciativës Qytetare të Malishevës.

 “Limaj ka dalë në përkrahje të Inicitavës”, tha Shala të hënën.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti shpjegon se Limaj ka dalë kundër degës së PDK-së në Malishevë, por jo edhe kundër partisë.

“Unë s’kisha me e vlerësua më shumë, s’kisha me besu më shumë, sesa që ai ka dalë kundër degës së PDK-së në Malishevë dhe jo kundër partisë, ky është mendimi im. Tani [për] të tjerat unë nuk kam informacion, sepse nuk kemi bisedu në parti nuk di as atë, as dikën që është duke kriju naj alternativë politike tjetër për t’u shkëputë nga PDK-ja.” i tha Haliti Gazetës Jeta në Kosovë.

Haliti thotë që Limaj t’i ketë shprehur pakënaqësi për qeverisjen lokale, në biseda spontane që ka pasur me të.

“Në bisedën spontane me të që e kemi pas, ai ka shprehë pakënaqësinë me pushtetin lokal të Malishevës dhe ju ka kundërvënë pushtetit lokal të Malishevës”, thotë ai.

Haliti thotë të mos e vlerësojë ende si shkëputje të Limajt nga PDK-ja, përderisa kjo gjë nuk është zyrtarizuar.

“Tani shkëputja duhet të shpallet. Unë pa u shpallë shkëputja nuk do t’i paraprija me mendimet e mia dhe siç po diskutojnë analistët e pavarur, sepse unë kam përgjegjësitë e mia në parti dhe nuk jam që të ketë shkëputje dhe të ketë ndarje në parti, ky është qëndrimi im”, thotë Haliti.

Ai nuk ka komentuar se sa mund ta dëmtojë PDK-në largimi i Limajt, duke u shprehur për mundësi kontaktimi dhe kapërcim të “mospajtimeve” brenda partisë.

“Nuk mund të profetizoj unë sa mund ta dëmtojë, ose si do të shkojnë gjërat, por po besoj që akoma ka mundësi dhe ka kontakte të mundshme për t’i kapërcyer këto mospajtime që mund të jenë mes njëri tjetrit”, tha Haliti.

“ Në qoftë se nuk ka [kontakte] është e drejtë e secilit që të deklarohet dhe të marrë rrugën e tij nuk është diçka që ,,, do të konsiderohej tradhti kombëtare në qoftë se zgjedh rrugën, zgjedh një alternativë të re politike, jemi në demokraci në Shekullin 21” shoti ai.

Deputeti i PDK-së Azem Syla nuk ka dashur të komentojë pozicionimet politike të Limajt.

Ai tha se ka respekt për të kaluarën dhe luftën duke mos dashur të flasë për çështjet e politike.

“Për të kaluarën dhe luftën që e kemi të përbashkët, kam respekt për Fatmirin dhe të gjithë ata të tjerët. Për çështje politike, çështje të interesave dhe të lakmive, unë nuk përzihem më shumë”, tha Syla.

Selimi: Limajn PDK-ja e ka shkëputur dhunshëm nga politika

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi thotë se Limaj të jetë shkëputur “dhunshëm nga jeta politike”, dhe se dhënia e kontributit brenda, ose jashtë PDK-së, sipas Selimit është zgjedhje ekskluzive e vetë atij.

“Zoti Limaj ka qenë dhunshëm i shkëputur nga jeta politike, e kësaj shkëputje nga politika i ka kontribuar edhe vetë partia e tij, kështu mendon edhe ai ndoshta. Andaj kjo mund të jetë edhe një arsye që ai të mos kthehet, me shkakun e shkëputjes nga politika, por jo vetëm kaq”, tha Selimi.

Sipas tij, Limaj nuk e gjetur veten brenda PDK-së, qysh më herët.

“Normalisht që brenda PDK-së mendoj që kontributi i tij ka rezultuar kontribut i kotë, për shkak se brenda PDK-së ai nuk e ka gjetur veten, jo vetëm tani në këtë vit, po qysh herët. Sidoqoftë e ka vlerësuar tani”, vazhdon Selimi.

“Sidoqoftë zotëri Limaj është një figurë publike politike dhe normalisht ai e ka vlerësuar më së miri se ku mund të jep kontributin e vet, qoftë brenda PDK-së, qoftë jashtë PDK-së, kështu që është ekskluzivisht zgjedhje e tij”, thotë ai.

Selimi thotë se përkrahja politike që do t’i bëhet, do të jetë treguesi më i mirë që do të vlerësojë Limajn.

“Vlerësimin më me vlerë do ta marrin nga përkrahja politike në të ardhmen. Le ta shohim se si do të përballet me sfidat që e presin. Sidoqoftë vlerësimi im nuk mund të merret si vlerësim real edhe për arsye politike, edhe për arsye subjektive”, tha Selimi.

Mustafa: Limaj, trup i pandashëm nga shoqëria e tij

Edhe për deputetin e PDK-së Rrustem Mustafa, përkrahja e një fraksioni tjetër politik nga Limaj, nuk do të thotë ndërrim subjekti, por rreshtim.

“Nuk ka konfirmim se ka kalim, por ka rreshtim. Ai në Malishevë ka deklaruar se do të përkrahet Iniciativa qytetare edhe ma gjatë dhe nuk e ka mbyllë rrugën për bashkëpunim dhe për me qenë ende në PDK”, tha Mustafa.

“Unë thjesht besoj që është trup i pandashëm nga shoqëria e tij, të cilën e ka themeluar që në fillim të Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Mustafa.

Por, Mustafa thotë të mos e ndiejë veten mirë, nëse Limaj është “detyruar” të punojë kështu.

“Sido që të jetë, Fatmir Limaj është njëri ndër themeluesit dhe udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës që nga fillimi dhe unë si i ardhur më vonë i Partisë Demokratike të Kosovës nuk e ndiej veten mirë, nëse Fatmir Limaj është detyrua të punojë kështu qoftë me media, qoftë me organizim politik çfarëdo qoftë” tha Mustafa.