Limaj Lyp Përkrahje për Iniciativën Qytetare në Malishevë

Deputeti i PDK-së Fatmir Limaj ka kërkuar publikisht që të përkrahet Iniciativa Qytetare për Malishevën, një fraksion i dalë nga Partia Demokratike në pushtet, gjatë një fjalimi të cilin e ka mbajtur para bashkëvendësve të tij, të hënën në Malishevë.
 
Ish-këshilltari i Limajt në Ministrinë e Infrastrukturës Endrit Shala, konfirmoi për gazetën Jeta në Kosovë, se në takimin e sotëm para bashkëvendësve, Limaj ka dalë në përkrahje të Iniciativës Qytetare të Malishevës.

“Limaj ka dalë në përkrahje të Inicitavës”, ka thënë Shala.

“Sot kam dashur nga vendlindja ime t’i drejtohem jo vetëm komunës së Malishevës, por gjithë Kosovës, me mesazhin se as s’kam pushuar as ndaluar, por do të vazhdoj punën time në shërbim të atdheut”, ka thënë Limaj, transmeton Kosovapress-i.

Ndëkraq,  kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi, i cili prej kohësh është shprehur kritik ndaj partisë nga e cila vjen, nuk ka konfirmuar nëse do të vazhdojë ose jo, të jetë pjesë e PDK-së, kur është pyetur për këtë nga gazetarët, pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit të hënën në mesditë, në një konferencë për media.

“Unë vazhdoj të jem kryetar i kuvendit” ka thënë shkurt kryeparlamentari Krasniqi.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci është shprehur  se nuk do t’u frikohen votave që tashmë nuk do t’i kenë nga ata që largohen nga PDK-ja, duke thënë se kanë besim në vizionin, programin, punët dhe shërbimet që u kanë bërë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

‘Ne nuk u frikësohemi fare votave, ne kemi dëshirë dhe i besojmë më së shumti vizonit tonë të qartë, programit të Partisë Demokratike të Kosovës. U besojmë punëve dhe shërbimeve që iu kemi bërë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Grabovci.

Ai e ka pranuar se partia në pushtet e ka bërë atë që ka mundur të bëhet, ndërsa ka shtuar se askush tjetër nuk do të kishte mundur të bëjë më shumë sesa është bërë.

“Qytetarët e Kosovës kanë mundësi të bëjnë krahasimet e qeverisjeve të kaluara dhe të qeverisjes së Partisë Demokratike”, ka vazhduar Grabovci.

Sipas tij në kushtet e demokracisë respektohet vullneti i individit.

“Ne jetojmë në kushte të demokracisë ku respektohet vullneti i gjithsecilit. Individi është individ dhe ka të drejtë të zgjedhë dhe të përcaktohet për ku të dojë dhe kah të dojë .Unë e them me bindje se Partia Demokratike e Kosovës është një fuqi shumë e madhe politike…Partia Demokratike do të jetë e fuqishme, do të vazhdojë fuqizimin e saj… dhe partinë demokratike jam i bindur se e presin ditë të mira” ka thënë Grabovci.
 
Ish nënkryetari i PDK-së Fatmir Limaj, është propozuar dhe është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, nga anëtarët e këtij subjekti, si i dhjeti me radhë, në konventën e VI-të dhe të fundit të PDK-së, ndonëse pa praninë e tij, pasi që ndodhej në paraburgim.

Ndërkaq ish sekretari i PDK-së Jakup Krasniqi po ashtu është propozuar dhe zgjedhur si anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, si i 36-ti me radhë. Krasniqi po ashtu nuk ishte pjesëmarrës në kongresin e fundit të PDK-së që u mbajt me 27 janar të vitit 2013.

Krasniqi, dy ditë para këtij kongresi, nëpërmjet një letre të hapur publike është shprehur kritik ndaj procesit zgjedhor brendapartiak të PDK-së, duke konfirmuar mospjesëmarrjen e tij në kongres të partisë.

Në letrën e tij Krasniqi thoshte se ky proces është bërë nga kreu i partisë “për të kënaqur ambiciet e tij dhe vetëm të tij, por jo zgjedhje për Kosovën dhe qytetarët e saj”. Në letrën dërguar mediave, Krasniqi i referohej Thaçit me ironi si “shef”, duke e quajtur atë “sundimtari i gjithëpushtetshëm i PDK-së” dhe njeri që e ka kthyer partinë “në pronë private”.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura në vitin 2010 Limaj dhe Krasniqi menjëherë pas Hashim Thaçit siguruan më së shumti vota brenda PDK-së.

Përderisa Fatmir Limaj u rendit i dyti nga më të votuarit me 75 mijë e 689 vota, Jakup Krasniqi ishte i treti si më i votuari i PDK-së, me 35 mijë e 379 vota.